Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Haki Abazi, ka folur për çështjen e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, duke theksuar se fatkeqësisht kjo do të jetë pjesë e marrëveshjes finale me Serbinë.
“Jam i bindur që çështja e asociacionit është pjesë e diskutimit, fatkeqësisht, por forma se si do të përfshihet në marrëveshjen finale dhe respektimi i plotë i vendimit të Gjykatës Kushtetuese duhet të jenë limitet, në të cilat, duhet të ecet para”, ka deklaruar Abazi.
Abazi për EO ka thënë se është i gatshëm të japë dorëheqje nga pozita e tij nëse në kuadër të marrëveshjes finale me Serbinë, pranohet asociacioni me kompetenca ekzekutive.
“Sikur të mos ishte asociacioni pjesë e marrëveshjes sigurisht që s’do të duhej të flisnim për të. Duhet të fillohet të diskutohet si pjesë e marrëveshjes finale. Nuk besoj që do të ketë ndryshim kushtetues për të akomoduar kompetenca ekzekutive të asociacionit. Nëse ndodh një gjë e tillë unë jam i pari që jap dorëheqje”, ka vijuar ai.
Sipas tij, është në interes të Bashkimit Evropian që marrëveshja finale të arrihet sidomos pas konfliktit Rusi-Ukrainë.
“Të dyja janë pyetje shumë të vështira. E patë sesi përdorën presionin e vizave për çështjen e targave. Instrumentet e presionit janë të shumta në dorën e BE dhe sigurisht që këto presione do të vazhdojnë, por unë mendoj që është në interes të BE që marrëveshja finale të arrihet sidomos pas konfliktit Rusi-Ukrainë”.
Themelimi i asociacionit është paraparë me Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013, të arritur në mes të Kosovës dhe Serbisë, marrëveshje kjo e cila thekson se asociacioni do të krijohet me statut dhe strukturat e tij, mbi bazën e statutit të Asociacionit të komunave të Kosovës.