Ka dështuar raportimi i Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në Komisionin për Integrim Evropian.
Partitë opozitare, ashtu siç e kishin paralajmëruar, kanë bojkotuar punën e këtij komisioni, me arsyen e mosvotimit të komisionit hetimor parlamentar për energjinë.
Në fillim, e morën fjalën përfaqësuesit e partive opozitare, të cilët ishin me një qëndrim, që nuk do të marrin pjesë në asnjë punim të komisioneve, nëse nuk miratohet komisioni hetimor për energji.
Pasi i ka dështuar raportimi, ministrja Albulena Haxhiu ka thënë se “më herët ishte problem të vinin ministrat për raportim, tash po i bojkoton opozita komisionet”.
Të martën, kishte dështuar themelimi i komisionit hetimor për energji, pasi opozita nuk i kishte votat e mjaftueshme për ta bërë një gjë të tillë.
Pas kësaj, partitë opozitare, dolën me deklarata që nuk do të marrin pjesë në asnjë seancë apo votim të kuvendit, nëse nuk votohet komisioni i kërkuar nga ta.
Për mosvotimin e këtij komisioni, pozita është arsyetuar se, kërkesa e opozitës për themelimin e tij ishte në mënyrë të kundërligjshme, sepse, sipas tyre, komisionin nuk mund ta udhëhiqnin ata që e kanë iniciuar kërkesën për themelim.
Themelimi i këtij komisioni, sipas opozitës, do të hetonte, siç kanë thënë, shpenzimin e 100 milionë eurove subvencione të dhëna për energji, si dhe punësimet, sipas tyre, nepotiste në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK).