Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, së bashku me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, morën pjesë në ceremoninë e ngritjes së flamurit me rastin e 110-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.
Pjesë e kësaj ceremonie ishin edhe presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, dhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Në këtë ceremoni nuk munguan as dy kryetarët e Kuvendeve, Glauk Konjufca dhe Lindita Nikolla.
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka thënë se kurora e Pavarësisë së Shqipërisë është e mbushur me gurë të çmuar.
“Me gëzim e krenari të ligjshme, Vlora lavidmadhe dhe heroike na fton sot për të kremtuar 110-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Në këtë shesh në këtë qytet, për herë të parë kumboi himni i pavarësimin të shtetit të ri shqiptar, të një populli që hynte në epokën e mëvetësisë dhe sovranitetit si kurorëzim i përpjekjeve, aspiratave dhe sakrificave të panumërta shekullore”.
Ai ka theksuar se historia kombëtare është histori luftërash e sakrificash të paepura për liri, është histori përpjekjesh të pafundme për dije e progres, është histori e një populli që dashurinë për tokën dhe atdheun e ka mbi gjithçka.
“Pavarësia e Shqipërisë ishte dhe mbetet vepër e madhe e kombit shqiptar, e brezave dhe patriotëve të panumërt që me përgjegjësi historike në ditët e rrezikut të madh jetuësuan vullnetin shekullor të popullit me shumë guxim e largpamësi”.
“Ishte trimëria e djelmësirsë kosovare dhe asaj mbarë shqiptare që i dolën për zot vatanit dhe i demostruan mbarë botës shenjtërinë e lirisë, gjuhës atdheut dhe identiteti kombëtar”, shtoi ai.
Sipas Begajt, Shqipëria mundet dhe duhet të mbështesë fuqizimin e shtetit të Kosovës, të jetë zëri i saj sa herë të jetë e nevojshme, bashkudhëtare dhe mbështetëse e palëkundur në rrugëtimin e saj euroatlantik.
“Atdheu dhe kombi ka nevojë për përkushtimin, përgjegjësinë, shërbimin dhe dashurinë e secilit prej nesh”.