Të hënën e 28 nëntorit, Policia e Kosovës ka njoftuar se është inauguruar objekti i stacionit policor Veriu në Prishtinë.
“Stacioni policor Veriu, që ndodhej në lagjen “Kodra e Trimave” në Prishtinë, që nga data 08.11.2022, është zhvendosur në objekt të ri në lagjen “Arbëria” në Prishtinë”, ka njoftuar Policia e Kosovës.
Tutje thuhet se gjatë kësaj të hëne është organizuar eventi zyrtar për inagurimin e objektit, nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Prishtinë.
“Në këtë event Drejtori i Drejtorisë Rajonale, Nënkolonel Fehmi Xhata dhe stafi i tij , pritën të ftuarit, Kryetarin e Prishtinës, z.Përparim Rama me përfaqësues të Komunës së Prishtinës si dhe deputetin, Mefail Bajqinovci përfaqësues nga Komisioni Parlamentar për Siguri”, ka shtuar tutje Policia e Kosovës.
Mes tjerash thuhet se gjatë fjalimeve pjesëmarrësit kanë shprehur gatishmërinë për bashkëpunim të mëtejmë, në të gjitha fushat, ku qëllim të përbashkët kishin sigurinë dhe shërbime më cilësore për qytetarët.