“Njoftimi është marrë nga rrjetet sociale. Është njoftuar Prokuroria Themelore në veri të Mitrovicës. Duhet të vërtetohet autenticiteti i videos. Përndryshe nuk dihet lokacioni i saktë e as koha, ndërsa asnjë ankues nuk është lajmëruar lidhur me lëndime të mundshme në këtë video”.
Ky është versioni i Policisë së Kosovës për videon që ka qarkulluar në rrjete sociale e publikuar të hënën nga kandidati për kryetar komune në veri të Mitrovicës, Aleksandar Arsenijoviq, në të cilën shihet një qytetar i cili goditet nga mbrapa nga një veturë në lëvizje, incizimin e së cilës e ka bërë shoferi i veturës.
Arsenijoviq përmes postimit të tij në rrjetin social në Facebook, ka shkruar se ngjarja ka ndodhur në Komunën e Leposaviqit por që zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut të Mitrovicës, Besim Hoti për Portalin Dukagjini ka thënë se duhet të vërtetohet autenticiteti i videos pasi nuk dihet as koha as lokacioni, për të cilën tha se është njoftuar edhe Prokuroria Themelore në veri të Mitrovicës.
“Jam i shqetësuar me skenën në Komunën e Leposaviqit, ku një njeri (nëse mund të quhet i tillë) në mungesë të policisë e shkel një njeri në rrugë duke i plotësuar egot e tij personale. Shpresoj që herëdokur të mbajnë përgjegjësi për këtë mizori përfundimisht”, ka shkruar Arsenijoviq.