Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të mërkurën, pritet të dalë para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, lidhur me situatën e krijuar në vend.
Kështu ka njoftuar Zyra për media e Kuvendit të Kosovës, gjersa ajo ka bërë të ditur se interpelanca do të mbahet nesër, e mërkurë, në orën 11:30.
“Interpelancë me kryeministrin e Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti për çështjen: Masat urgjente të Qeverisë së Republikës së Kosovës, në raport me situatën e krijuar në vend”, thuhet në njoftim.
Situata në Veri të vendit ka qenë e tensionuar si rrjedhojë e moszbatimit të marrëveshjes së targave nga ana e Serbisë.
Më 23 nëntor të këtij viti, kryediplomati evropian, Josep Borell, ka bërë të ditur se është arritur një marrëveshje në mes Kosovës dhe Serbisë lidhur me çështjen e targave.
Borrell ka bërë të ditur se Serbia do të ndalojë lëshimin e targave me emërtimet e qyteteve të Kosovës dhe Kosova do të ndërpresë veprimet e mëtejshme në lidhje me riregjistrimin e automjeteve.
“Serbia do të ndalojë lëshimin e targave me emërtimet e qyteteve të Kosovës dhe Kosova do të ndërpresë veprimet e mëtejshme në lidhje me riregjistrimin e automjeteve. Unë do t’i ftoj palët në ditët në vijim për të diskutuar hapat e ardhshëm”, ka deklaruar Borrell.