Një bisedë të natyrshme me lojtarin Lorik Cana, patën mundësi t’a bëjnë dëgjuesit e emisionit “Radar” me Edita Doli, në Radio Dukagjini, ku mysafir ishte djali nga Kosova, që arriti t’a kualifikojë Shqipërinë në kampionatin Evropian të futbollit në vitin 2016.
Fjalët me komplimente si “T’i na bënë të ndjehemi shqiptar”, “Krenaria e Kombit” etj, e emocionuan Canën për disa momente.
Gjatë bisedës u përmend kontributi i tij, bashkë me shokë në mbrojtjen e flamurit Kombëtar, të Shqipërisë Etnike, me 14 tetor 2014, në stadiumin e Partizanit në Beograd.
Në këtë ndeshje, ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë, e cila u ndërpre pasi lojtarët shqiptarë u sulmuan fizikisht nga bandat serbe, Cana me shokë nuk u dorëzuan në mbrojtje të flamurit Kuq e Zi, që u lëshua me dron në stadion.
“Pavarësisht fyerjeve dhe të sharave që na janë bërë në atë ndeshje, fatmirësisht shumica e lojtarëve tanë nuk e kuptonin gjuhën serbe. Dhe kur zbriti flamuri, fillimisht kemi menduar se është diçka e tyre, krejt vonë e kemi parë se janë simbolet tona”, ka thënë Cana.
Lorik Cana, i lindur në Kosovë por që rrugët e mërgimit i mori në moshë të vogël, sot zhvillon jetën ndërmjet Italisë, Kosovës dhe Shqipërisë. Ai ka folur edhe për familjen për të cilën tha se i kushton shumë kohë.
“Kosovën e vizitoj shumë shpesh, vizitoj familjen dhe kryej punët e fondacionit. Me familje kaloj shumë kohë, shumicën e kohës e kaloj me gruan Monikën dhe fëmijët Bojkenin dhe Enekeleidën. Djali merret me futboll dhe tenis, e qika ma ka marr zemrën. Qika m’ka lujt krejt, def m’ka bo, si krejt babat që bëjnë mas qikave”, ka thënë Cana për Radio Dukagjini.
Cana ka treguar se në bashkëpunimet që ka me Ambasadën e Shqipërisë për kulturën, sa herë që i ipet rasti e përfshijnë edhe Kosovën.
“Mundohem maksimalisht që me aktivitete të ndryshme të bëjmë promovimin e kulturës shqiptare në Itali. Sporti për fëmijë, pjesa e trashëgimisë kulturore të cilën e kam shumë për zemër. Por, edhe përmes fondacionit bëjmë shumë për ngritjen e sportit në përgjithësi”, ka thënë Cana.
Kapiteni legjendar foli edhe për ëndrrën, të cilën thotë se është ëndrra e babait të tij ta bëjnë një akademi të futbollit këtu tek ne. Ai thotë se personalisht nuk kishte tërheqje të vinte të bënte diçka këtu në Kosovë për ndonjë klub apo futbollin në përgjithësi, pasi shton se nuk e njihte mirë situatën, por thotë se nuk ka harruar që është i Gjakovës, e klubi i tij është Vëllaznimi dhe rëndësinë që ai ka.
“Në të kaluarën kam ndihmuar në formë materiale sepse kam pasur mundësi, e kur erdhi babi është munduar më shumë që të ketë një sukses, që gati e arriti, por vetëm është vështirë të bësh diçka i vetëm”, ka deklaruar Cana.
Ai ka deklaruar se në Kosovë është shumë vështirë të mbash një klub futbolli, pasi ka të hyra shumë pak. Cana thekson se nuk është se nuk i intereson ekipi i parë i Vëllaznimit, mirëpo mendon se secili klub duhet të fillojë nga të rinjtë, andaj më e rëndësishme për të është një shkollë e futbollit.
“Kam dëshirë t’a arrij këtë me Vëllaznimin nëse mundemi, unë kam përgjegjësi ta ndihmoj klubin, i kam qëndruar afër me aq sa kam mundur që së paku mos të zhduket klubi … Për shkollën e futbollit nuk kam dëshirë të dorëzohem, shpresoj t’ia arrijmë ta bëjmë këtë, një shkollë të thjeshtë në fillim por me baza të shëndosha”, ka theksuar Cana.
Ai shton se një shkollë e tillë do të ishte më lehtë e arritshme në Prishtinë, pasi ka numër më të madh të fëmijëve, mirëpo thotë se detyrimi moral i tij qëndron me Gjakovën.