Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, në seancën e së mërkurës, në Kuvendin e Kosovës, ku po mbahet interpelancë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për çështjen “Masat urgjente të Qeverisë së Republikës së Kosovës në raport me situatën e krijuar në vend” i është drejtuar kryeministrit, duke i thënë se AAK-ja ka sjellë propozim-rezolutë që të ndihmojë Kosovën për zgjidhje të situatës aktuale, jo “që të marrë përgjigje demagogjike”.
“E dhimbshme që marrim kësi përgjigje përmes megafonave të pushtetit, arsyeja e vetme që kemi sjellë propozim-rezolutë është që të ndihmojmë vendin tonë”, ka thënë Haradinaj.
Ai i është drejtuar Kurtit, duke i thënë “pse kryeministër ke refuzuar kërkesën amerikane për pezullim të afatit deri në marrëveshje finale”.
Sipas tij, po të mos e refuzonte Kurti këtë kërkesë të Amerikës, Vuçiq nuk do të urdhëronte Listën Serbe të dorëhiqet nga institucionet e Kosovës.
“Opozita nuk do të mundë të të ndihmojë e as Zoti nëse vazhdon me këtë demagogji”, ka vijuar tutje, Haradinaj.
Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se po të varej qeveria nga Lista Serbe, me siguri do të kishte mocion mosbesimi për ta rrëzuar qeverinë.
Kurti: Po të vareshim nga Lista Serbe, tani do të rrëzohej qeveria