Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë interpelancës për çështjen “masat urgjente”, në raport me situatën e krijuar në vend, i është drejtuar opozitës duke u thënë se nuk është e vërtetë se nuk ka policë të Kosovës në veri të vendit, ai ka thënë se “Policia e Kosovës është atje, madje edhe nëpër rrugë ka policë të Kosovës”.
Shefi i ekzekutivit ka thënë se policia në atë pjesë punon dhe vepron në bazë të ligjit e Kushtetutës.
“Policia është e pandalshme, nuk ka kush e ndal policinë. Ajo është në veri të vendit dhe patrullon aty. Mos dezinformoni se kinse nuk ka policë atje”.
Sipas tij, Kosovës nuk i nevojiten pjesëtarë serbë në institucionet e Kosovës, të cilët, japin dorëheqje sa herë që i urdhëron Beogradi.
“Neve na nevojiten serbë në institucionet e Kosovës që nuk jepin dorëheqje, sa herë që i urdhëron Beogradi”, ka thënë Kurti gjersa ka shtuar se “nuk ia vlen të thirremi në të kaluarën, ku serbët në institucione kanë bërë betimin, sepse sa ka qenë ai, betim i vërtetë merret vesh sot”, ka vijuar ai.
Ai ka përmendur se për herë të parë Kosova ka patrullim të rregullt policor me barka në liqenin e Ujmanit dhe vizita të ministrave në veri të vendit.
Ndërsa, deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se “17 për qind e territorit është pa polici, pa gjyqtarë, pa prokurorë, pa shërbim bazik administrativ e komunal”.
Ndërkaq, deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka thënë se situata në veri të vendit është në pikën më të ulët të politikës në Kosovë dhe të sigurisë në 20 vjetët e fundit.