Me vota 21 pro, 42 kundër dhe një abstenim, Kuvendi i Kosovës nuk e ka miratuar Rezolutën e paraqitur nga Grupi Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Në Kuvendin e Kosovës është mbajtur interpelanca ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, e thirrur nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, i ka prezantuar pikat e rezolutës së kësaj partie rreth situatës në vend.
Pikat e rezolutës së AAK-së:
Qeveria e Kosovës të marrë vendim menjëherë për shtyrjen e vendimit për targat deri në marrëveshjen finale me Serbinë.
Institucionet e Kosovës të fillojnë dialogun intensivë me serbët e Kosovës, për t’u kthyer në institucionet e Kosovës dhe për të kthyer besimin e ndërsjellë.
Qeveria të nisë komunikimin intensiv me faktorët relevantë në vend, duke përfshirë edhe opozitën, jo vetëm si reflektim të gjendjes së krijuar, por edhe si nevojë e gjetjes së rrugëdaljes nga situata e krijuar.
Të kërkohet një samit në SHBA, pra takim disaditor deri në përmbylljen e marrëveshjes finale mes Kosovës dhe Serbisë.
Kryetari i AAK-së, ka thënë se situata politike dhe e sigurisë në Kosovës, është ndër më të rëndat në këto 22 vjet.
“Serbia me aleatët e saj ka krijuar një skenar të destabilizimit të situatës në Kosovë, duke i urdhëruar përfaqësuesit serbë që t’i braktisin institucionet. Për fat të keq, edhe veprimet e deritanshme të institucioneve të Kosovës nuk kanë qenë në përputhje me situatën e krijuar. Kryeministri në vend që të përfillte kërkesën e SHBA-ve për shtyrje të vendimit për targat, ka zgjedhur skenarin më të keq, zbatimin në faza të kësaj marrëveshjeje”.