Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka mirëpritur vendimin e ambasadorëve të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, për t’i hapur rrugë liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.
Me anë të një postimi në Twitter, Kurti është shprehur mirënjohës ndaj Presidencës çeke për përkushtimin e saj ndaj këtij procesi.
“E mirëpres vendimin e sotëm të rëndësishëm dhe të vonuar nga COREPER për liberalizimin e vizave për Kosovën, një mirënjohje e përkushtimit tonë për sundimin e ligjit, luftimin e korrupsionit, forcimin e kontrolleve kufitare dhe menaxhimin e migracionit. Mirënjohës ndaj Presidencës çeke dhe mezi pres finalizimin e këtij procesi”, ka shkruar Kurti.
I welcome today's important & overdue decision by COREPER on visa lib. for Kosova, an acknowledgement of our commitment to rule of law, fighting corruption, strengthening border controls & managing migration. Thankful to @EU2022_CZ & look fwd to the finalization of this process.
— Albin Kurti (@albinkurti) November 30, 2022
Presidenca çeke ka përshëndetur vendimin për viza që u mor të mërkurën, nga ambasadorët e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, për liberalizimin e vizave për shtetasit e Kosovës.
“Rajoni i Ballkanit Perëndimor ka qenë një nga prioritetet tona të politikës së jashtme, gjatë presidencës sonë. Më vjen mirë që ndihmuam për të gjetur një marrëveshje brenda Këshillit për liberalizimin e vizave për Kosovën. Ky është një lajm i madh edhe për Kosovën dhe rajonin. Jam i bindur se regjimi pa viza do të hapë rrugën për kontakte më të ngushta mes qytetarëve të Kosovës dhe shteteve anëtare të BE-së”.
Kështu ka deklaruar përfaqësuesja e përhershme e Republikës çeke në Bashkimin Evropian, Edita Hrda, në një deklaratë për media, duke përshëndetur vendimin për vizat që u mor të mërkurën nga ambasadorët e shteteve anëtare të BE-së.
Ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, të mërkurën, janë pajtuar për t’i dhënë mandatin Këshillit Evropian që të negociojë procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën me Parlamentin Evropian.
“Sot kemi bërë një hap të rëndësishëm drejt udhëtimit pa viza për Kosovën dhe tani shpresojmë që të arrijmë një marrëveshje me Parlamentin Evropian, shpejt për ta bërë realitet këtë premtim. Liberalizimi i vizave është bërë i mundur nga përpjekjet e Kosovës për të forcuar kontrollet e saj kufitare, menaxhimin e migracionit dhe sigurinë, dhe ne besojmë se ky bashkëpunim i mirë vetëm do të forcohet në të ardhmen”, ka thënë ministri i Jashtëm i Çekisë, Jan Lipavsky, në një komunikatë për media të mërkurën në ëebfaqen e Këshillit Evropian.
Drafti ua mundëson qytetarëve me pasaporta të Kosovës, të udhëtojnë pa viza drejt BE-së për 90 ditë në periudhë gjashtëmujore.
Nën kushtet aktuale, liberalizimi i vizave do të nisë në datën e nisjes së sistemit ETIAS dhe në asnjë rast më larg se 1 janari 2024.
Deri atëherë, Kosova duhet të synojë të ketë “marrëveshje apo aranzhime” për riatdhesim me ato vende të BE-së, me të cilat, nuk i ka.
Kosovës, po ashtu, i kërkohet të vazhdojë të përshtasë politikën e saj të vizave me atë të BE-së, ndërkohë që i mbetet të kalojë edhe nëpër disa procedura të tjera që i kërkojnë vendet anëtare.
ETIAS kërkon që qytetarët e huaj, të cilët udhëtojnë pa viza në territorin e BE-së, t’i regjistrojnë të dhënat e tyre në këtë sistem para udhëtimit.
Franca ka qenë shteti që ka këmbëngulur më së shumti që hyrja në fuqi e liberalizimit të vizave për Kosovën, të lidhet me funksionalizimin e ETIAS-it, duke thënë se ai është i rëndësishëm për rritjen e sigurisë së vendeve anëtare.
Liberalizimi i vizave do t’u mundësojë qytetarëve të Kosovës të udhëtojnë lirshëm në atë që njihet si zona Schengen, e që përbëhet prej 26 shtetesh evropiane.
Kosova, aktualisht, është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e të cilit nuk mund të lëvizin lirshëm në këtë zonë.
Kjo, përkundër faktit se Komisioni Evropian, qysh në vitin 2018, ka konfirmuar disa herë se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave, por kanë qenë disa vende anëtare që vazhdimisht kanë shprehur rezerva.