Nënkryetarja e kryesisë së PDK-së, Vlora Çitaku, e ka kritikuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në lidhje me çështjen e vizave.
Ajo i ka cilësuar si të “pavërteta të mëdha”, fjalët e Kurtit, në lidhje me vendimin e BE-së për vizat, teksa ka thënë se Kurti po tenton t’i marrë meritat për vete.
“Kryeministri në një status të gjatë në Facebook, duke bërë përpjekje t’ia japë vetes meritat për liberalizimin e vizave (në vitin 2024), paska thënë të pavërteta të mëdha, duke justifikuar kështu edhe vonesat e BE për liberalizimin e vizave”, ka shkruar ajo.
Ajo ka theksuar se Kosova, që nga viti 2018, i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave, por që sipas saj, vonesat kanë qenë tërësisht politike.
Për kontributin e Kurtit, Çitaku ka thënë se “ai fillon dhe përfundon me gazin lotsjellës në Parlament”.