“Sikur prokuroria të ishte në krye të detyrës do të parandalohej rasti”.
Kështu ka deklaruar ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu pas vrasjes së gruas shtatzënë në oborrin e QKUK-së nga bashkëshorti i saj.
Ministrja Haxhiu ka thënë se sipas informacioneve që ka marrë, viktima kishte raportuar në korrik të këtij viti të dyshuarin për dhunë fizike dhe psikike, por që prokuroria e kishte liruar në procedurë të rregullt të dyshuarin.
Këto deklarata ajo i ka dhënë pas mbledhjes së grupit ndërministror me qëllim të raportimit për së afërmi me secilin veprim institucional.
Në takimin e mbajtur me grupin ndërministror, ajo ka thënë se as prokuroria as gjykatat nuk kanë qenë të pranishëm, për të cilët ka thënë se do duhej të kishin më shumë ndërgjegje institucionale duke thënë se “Nuk kam koment për veprimet e tyre”.
“Ne në vazhdimësi po bëjmë thirrje që të raportohet dhuna ndaj grave, sikur prokuroria të ishte në krye të detyrës do të parandalohej rasti”.
Ndër të tjera ajo ka thënë se secili prej institucioneve si qoftë nga policia, nga qendrat sociale kanë marrë për detyrë të verifikojnë çdo veprim institucional prej momenti të parë kur është raportuar rasti.
“Në momentin që do të verifikohet dështimi institucional, do të ketë dorëheqje dhe shkarkim”, teksa ka shtuar se “Këto mosveprime e neglizhencë, po inkurajojnë vrasësit e kriminelët, nuk kemi asnjë prokurorë e asnjë gjyqtar që ka dhënë dorëheqje për moskryerje të detyrës me përgjegjësi”.
E pyetur për detaje të tjera, ajo ka thënë se janë duke i pritur raportet pasi rasti i ndjeshëm.
“Po presim raportet, kemi informacione të tjera të cilat për shkak të ndjeshmërisë së rastit nuk mund të bëhen të ditura, sepse viktima ka pasë urdhër-mbrojtje, duhet të verifikohet se a ka pasur kontakt me policinë, me qendrën sociale”.
Ndër të tjera, ajo ka thënë se ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka kërkuar nga inspektorati të hetojë veprimet e policisë.
Sipas Haxhiut, reforma në drejtësi pritet të votohet në Kuvendin e Kosovës, e që siç është shprehur ajo pas kësaj “nuk do të ketë prokurorë e gjyqtarë që nuk do të kryejnë detyrën me përgjegjësi”.
Nis mbledhja e grupit të ngushtë ndërministror pa praninë e KGJK-së e KPK-së