Marshimi në Lipjan pas vrasjes së 35-vjeçares shtatzënë mbrëmjen e së mërkurës ka filluar.
RTV Dukagjini sjell pamje nga marshimi i cili po mbahet nga banorët e komunës së Lipjanit pas vrasjes së 35-vjeçares shtatzënë mbrëmjen e së mërkurës, në oborrin e QKUK-së. Ajo dyshohet se është qëlluar me armë nga bashkëshorti i saj.
Krahas kësaj, të enjten e 1 dhjetorit, në Prishtinë, do të protestohet kundër vrasjes së grave.
Kjo protestë organizohet nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist dhe YIHR me moton “Vrasja e grave nga burrat të trajtohet si urgjencë kombëtare”.
Ngjarja pritet të fillojë nga ora 16:00, në sheshin “Zahir Pajaziti”.
“Ju njoftojmë se nesër më 1 dhjetor 2022, në ora 16:00, do të mblidhemi te sheshi ‘Zahir Pajaziti’ për të protestuar dhe për të kërkuar që vrasjet e grave nga burrat të trajtohen si urgjencë kombëtare. Edhe një burrë sot vrau një grua. Edhe një grua që ra viktimë e patriarkatit që i bën burrat vrasës e grave ua merr jetën. Sot, për të dytën herë brenda javës, u njoftuam edhe nga një vrasje tjetër makabre e një gruaje shtatzënë nga bashkëshorti i saj në QKUK, në sytë e shtetit. Pesë ditë, dy vrasje”, thuhet në njoftim.
Kësaj thirrjeje, i është bashkangjitur edhe Rrjeti i Grave të Kosovës, ku do të organizojnë protestë në ora 12:00.
Shteti dështoi ta mbrojë 35-vjeçaren shtatzënë, gjithçka që dihet për vrasjen në oborrin e QKUK-së