Të enjten e 1 dhjetorit, Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë, në zbatim të urdhërkontrollit të lëshuar nga Gjykata, ka kryer kontroll në vendbanimin e të dyshuarit në fshatin Rogovë të Gjakovës, dhe gjatë kontrollit, ka arrestuar një person, të cilit në shtëpinë dhe objektet e tjera përcjellëse, i ka gjetur armë.
“Gjatë kontrollit në shtëpinë dhe objektet e tjera përcjellëse, janë gjetur dhe sekuestruar si prova materiale një pistoletë e llojit EKOL, tre karikatorë, 22 copë fishekë dhe një thikë”, thuhet në komunikatën për media, të lëshuar nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit, ndaj të dyshuarit B.B., lindur në vitin 1949, shtetas i Kosovës, është inicuar rasti “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Megjithatë, Drejtoria Rajonale e Policisë së Gjakovës ka bërë të ditur se rasti po trajtohet në procedurë të rregullt.
Tutje, në komunikatë theksohet se Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë, në vazhdimësi angazhohet në parandalimin e dukurive negative, veprave penale dhe për krijim të një ambienti sa më të sigurt për qytetarët.