Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), ka filluar hetimet lidhur me lëshimet eventuale nga ana e Policisë së Kosovës për rastin e të dyshuarit Sokol Halili, i cili po dyshohet se vrau ish-bashkëshorten shtatzënë, mbrëmë në oborrin e QKUK-së.
IPK ka njoftuar se ka autorizuar një grup hetimor të veçantë të zyrtarëve nga dy departamente operative në IPK-së – Departamenti i Hetimeve dhe Inspektimeve, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Lajmin për “Betimi për Drejtësi” e ka konfirmuar zëdhënësi i IPK-së, Arbër Beka , i cili tha se ata janë angazhuar për të grumbulluar të dhënat për veprimet apo mosveprimet e zyrtarëve policorë për incidentin në fjalë.
“Duke ju referuar kërkesës suaj ju konfirmojmë se Inspektorati Policor i Kosovës sipas detyrës zyrtare ka filluar një hetim paraprak dhe ka autorizuar një grup hetimor të veçantë të zyrtarëve nga dy nga departamentet operative të IPK-së (Departamenti i Hetimeve dhe Inspektimeve) të cilët janë angazhuar në grumbullimin e të dhënave lidhur me veprimet apo mos veprimet e zyrtarëve policorë në trajtimin e rasteve që lidhen me incidentin në fjalë”, tha Beka.