E premtja e kaluar, nisi me lajmin e kobshëm për vrasjen e mësueses Sanije Godeni, e as një javë më vonë, një tjetër incident ndodhi, që për viktimë kishte po ashtu një grua.
Për dallim nga rasti i Godenit, rasti i Hamide Magashit dhe dhuna e ushtruar ndaj saj nga burri, tashmë i dyshuari për vrasjen e saj, ishte i njohur për autoritetet.
Sokol Halili kishte një urdhër mbrojtje dhe nuk do t’i ofrohej Magashit, por kjo nuk ndodhi.
Ky nuk është rasti i vetëm ku organet përgjegjëse nuk ofrojnë siguri për viktimat.
Ngjashëm kishte ndodhur edhe me Lirije Qerimajn, e cila 5 ditë pasi kishte raportuar dhunën që po ushtronte bashkëshorti i saj, ajo u vra para fëmijëve të saj.
Prokuroria kishte lëshuar urdhrin e mbrojtjes, në ditën kur e ndjera ishte vrarë dhe për këtë KPK-ja i ka shqiptuar vetëm vërejtje publike me shkrim, prokurores e cila kishte neglizhuar rastin.
E në gushtin e 2021-tës ishte vrarë edhe Marigona Osmani nga Dardan Krivaqa, një recidivist, me dhjetëra vepra penale, por që megjithatë ndodhej në liri.
Rast i kësaj natyre është edhe ai i Sebahate Morinës, e cila është vrarë nga ish-burri i saj, 2 vite më parë.
Përkundër që tani e ndjera Sebahate Morina për dhunën e ushtruar nga ish-burri i saj kishte njoftuar Prokurorinë Themelore në Prishtinë, reagimi kishte munguar, duke rezultuar me vrasjen e saj.
Rasti prej më të rëndëve që kishte nxjerrë në pah dështimin e institucioneve përballë rasteve të dhunës në familje, ishte ai i Diana Kastratit.
Tri javë para se të vritej nga burri i saj, Kastrati kishte dorëzuar një kërkesë në Gjykatën Komunale në Prishtine, për urdhër të mbrojtjes emergjente, por gjykata nuk kishte vepruar.
Diana Kastrati ishte vrarë në vitin 2011, e vrasësi, Adnan Jashari, është i shpallur në kërkim që nga ajo kohë, e nuk është arrestuar ndonjë herë.