Për nder të shënimit të 3 Dhjetorit, Ditës Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka marrë vendim që të premten e 2 dhjetorit, në orën e parë të mësimit të gjithë edukatorët, mësimdhënësit, arsimtarët, profesorët, e të gjitha institucioneve edukativo-arsimore, ta shtjellojnë temën “Aftësitë e Kufizuara”.
MAShTI i ka njoftuar me kohë Drejtoritë Komunale të Arsimit dhe institucionet arsimore për këtë orë mësimi, e cila ka për qëllim vetëdijësimin e nxënësve në shkollat e Kosovës për “Aftësitë e Kufizuara” dhe ndërgjegjësimin mbi të drejtat e tyre.
MAShTI, gjithashtu, bën të ditur se edukatorët/mësimdhënësit mund të përdorin udhëzuesin e hartuar nga grupi punues i Ministrisë së Arsimit, i cili është publikuar në websajtin zyrtar të MAShTI-t.
Ndryshe, sipas njoftimit, Qeveria e Kosovës vitin 2022 e ka shpallur “Vit të Aftësive të Kufizuara”.