Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, është e treguar e ashpër në lidhje me funksionimin e sistemit të drejtësisë në Kosovë.
Në kuadër të fushatës globale “16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, në një konferencë për media, Haxhiu e ka fajësuar sistemin e drejtësisë për vrasjen e grave dhe vajzave.
Ajo ka thënë se ato po vriten për shkak të mosfunksionimit të sistemit të drejtësisë.
“Për shkak të mosfunksionimit të sistemit të drejtësisë vajzat dhe gratë e Kosovës po vriten, edhe sa vajza dhe gra duhet të vriten në mënyrë që të këndellet sistemi i drejtësisë, edhe sa vajza dhe gra duhet të vriten në mënyrë që kriminelët të mos lëshohen në procedurë të rregullt, edhe sa vajza dhe gra duhet të vriten në mënyrë që kriminelët të mos lëshohen në procedurë të rregullt, edhe sa duhet të vriten në mënyrë që gjykatat të mos shqiptojnë nën minimumin që parasheh kodi dhe rendi i Republikës së Kosovës”, ka thënë ajo.
Për mungesën e përfaqësuesve të sistemit të drejtësisë, në konferencën e thirrur, ministrja Haxhiu ka thënë se tregon shumë për ndërgjegjen e tyre.
Haxhiu ka theksuar se dhuna në familje, ku në shumicën e rasteve viktima janë gratë, është fenomen alarmant.
“Viktima të dhunës në familje janë në shumicën dërrmuese vajza dhe gra. Përveç grave, vuajnë edhe fëmijët, ata përjetojnë ngjarje reumatike. Gjasat janë që këta fëmijë t’i kopjojnë sjelljet abuzive dhe në të ardhmen e tyre të veprojnë njëjtë sikurse prindërit e tyre”, ka vijuar Haxhiu.
Haxhiu tha se për herë të parë në Kosovë, po lansohet Kurrikula për Programet e Trajtimit të Dhunës.