Këtë herë, “kauza” e opozitës është cilësuar si “e duhur” nga analistët e emisionit të mbrëmjes së sotme në Debat Plus.
Ish ambasadorja e Kosovës në Itali, Alma Lama, e ka cilësuar raportin “Freedom House” si raport serioz i shtruar nga struktura të brendshme dhe analistë te jashtëm. Sipas Lamës, Vetvendosja nuk ka vullnet për një komision të tillë që do ishte transparent mbi subvencionet e energjisë dhe kjo e bën Vetvendosjen të jap një shembull të keq.
“Qytetarët kanë të drejtë të dinë dhe VV ka humbur betejën”, ka thënë ajo.
Sipas analistit Ylli Hoxha, përparësia e opozitës është përzgjedhja e betejës dhe këtë të fundit po e bën siç duhet.
“Vetvendosja ka reagu dhe ka reagu gabim. Kjo i ka kriju një mundësi opozitës dhe kjo e fundit po kërkon transparencë. Kjo është formë intelegjente e saj”, ka thënë Hoxha.
Pas një videoje të Mimoza Kusari Lilas, të transmetuar në emisionin Debat Plus me Ermal Pandurin, Visar Ymeri ka thënë se pajtohet me mendimin e Hoxhës duke shtuar se reagimi nga përfaqësuesit e Vetvendosjes duhej t’i konfirmonte dyshimet qytetarëve.
“Mënyra si reagoi Lila është reagimi tipik kur don me mbyll një komision hetimor”, ka shtuar Ymeri.
“Freedom House” është një organizatë jofitimprurëse, e financuar nga qeveria amerikane në Washington DC e cila kryen kërkime mbi demokracinë, lirinë politike dhe të drejtat e njeriut.
E përshkruajnë veten si një “zë i qartë për demokracinë dhe lirinë në mbarë botën”.