Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, të hënën e pesë dhjetorit do të takohet me ndihmës administratoren e USAID-it, Erin E. McKee.
Takimi pritet të zhvillohet rreth orës 12:00.
Sipas një komunikate për media, në fund të takimit, Osmani dhe McKee do të deklarohen për medie.
Ndryshe, Osmani së fundmi ka vizituar Bullgarinë, ku është pritur me ceremoni të lartë nga presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev.
Osmani, kishte thënë se gjatë takimit me presidentin bullgar, Ruman Radev, në Sofje, janë konfirmuar marrëdhëniet e shkëlqyeshme midis dy vendeve, duke ofruar gatishmëri për thellimin e tyre.
Osmani në një postim në Facebook, ka thënë se Bullgaria ka ofruar mbështetje për Kosovën për ta përballuar situatën e furnizimit me energji elektrike, në kohën kur e gjithë Evropa po përballet me krizë energjetike.
“I konfirmuam marrëdhëniet e shkëlqyeshme dypalëshe së bashku me gatishmërinë për t’i thelluar ato. Bullgaria është një mbështetëse e madhe e Kosovës në procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës, në BE, në organizata të tjera ndërkombëtare, por edhe përkrahëse e liberalizimit të vizave për shtetin tonë”, shkroi Osmani.
Ajo ka potencuar se vizion i përbashkët është paqja dhe stabiliteti në Kosovë, rajon dhe Evropë.