Inspektorati Policor i Kosovës ka publikuar Raportin e inspektimit të rregullt në fushën “Menaxhimi i thirrjeve dhe reagimit policor”.
Bazuar në Planin Vjetor të Inspektimeve të Rregullta për vitin 2022, nga IPK është iniciuar inspektimi për të vlerësuar menaxhimin e thirrjeve dhe reagimit policor, ku në kuadër të këtij raporti, IPK ka dhënë pesë rekomandime për Policinë e Kosovës.
Këto rekomandime kanë të bëjnë me nevojën e nxjerrjes së një Udhëzuesi mbi procedurën dhe veprimet policore në trajtimin e thirrjeve dhe reagimin në vendngjarje, ushtrimin e kontrolleve ndaj zyrtarëve në bazat e komunikimit për ngritjen e cilësisë së logut operacional, standardizimin e metodologjisë së regjistrimit në log, analizimin e faktorëve ndikues që sfidojnë reagimin policor, si dhe monitorimin dhe analizimin periodik të kohës së reagimit.
“Inspektimi është përqendruar në të gjitha stacionet policore në kuadër të Divizionit të Sigurisë Publike të Departamentit për Operacione”, thuhet në njoftim.
Tutje, thuhet se inicimi i inspektimit është ndikuar nga nevoja që Policia e Kosovës të sigurohet se stacionet janë në gjendje të përgjigjen në mënyrë efektive dhe të shpejtë në thirrjet e qytetarëve lidhur me shqetësimet e tyre.
“Inspektimi ka paraqitur një mundësi për të vlerësuar kapacitetet e stacioneve policore dhe gatishmërinë e tyre për të reaguar në ngritjen e sigurisë publike dhe krijimin e një mjedisi më të sigurt”.
Gjetjet e këtij inspektimi janë me interes për zyrtarët policorë në bazat e komunikimit, njësitë policore reaguese, shërbimet mbështetëse – logjistike dhe nivelin mbikëqyrës – vendimmarrës.