Me ftesë të presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për në Tiranë të hënën e pesë dhjetorit.
Presidentja Osmani në Tiranë do të përfaqësojë Kosovën në takimin e liderëve të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor.
“Në takimin e liderëve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, Presidentja Osmani do ta përçojë mesazhin e qartë të popullit të Kosovës mbi nevojën e përshpejtimit të procesit të integrimit, duke filluar nga liberalizimi i stërvonuar i vizave, deri tek mbështetja për statusin e vendit kandidat për Republikën e Kosovës, pas aplikimit”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Presidencës.
Në njoftimin thuhet se liderët e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në Tiranë do të diskutojnë për sfidat gjeostrategjike si rezultat i agresionit rus në Ukrainë, intensifikimin e angazhimit politik.
Po ashtu, në këtë Samit do të diskutohet dhe rreth përforcimit të sigurisë dhe ndërtimit të qëndrueshmërisë ndaj ndërhyrjeve të huaja, sfidat e paraqitura nga migrimi si dhe për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.