Të hënën e pesë dhjetorit, kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka pritur në takim Ndihmës Administratoren për Evropë dhe Euroazi në USAID, ambasadoren Erin E. McKee.
Kryeministri Kurti në këtë takim ka thënë se me ambasadoren McKee kanë diskutuar për projektet e USAID-it të cilat po gjejnë zbatim në Kosovë dhe për mundësitë e reja.
“Ndihma e USAID-it për Kosovën deri më sot kap vlerën mbi 1 miliard dollarë dhe përshkon secilën fazë të historisë sonë të re si shtet dhe secilin sektorë të zhvillimit të vendit tonë. Për secilin dollarë ne jemi mirënjohës si popull, si vend dhe si institucione”, ka thënë Kurti.
Tutje Kurti ka theksuar se fushëveprimi i kësaj agjencie është shumë sektorial dhe atry përfshihen fushat si ajo e drejtësisë, ekonomisë, demokracisë, energjisë dhe qeverisjes.
“Unë e njoftova znj. McKee me indikatorët më të fundit ekonomikë e demokratikë, për përparimin në sundimin e ligjit dhe luftimin e korrupsionit, reformat e deritanishme dhe të mëtejshme në sistemin e drejtësisë dhe kornizën ligjore, qeverisjen e mirë dhe planet tona për investime në sektorin e energjisë”, ka potencuar kryeministri Kurti.
“Rritja, përmirësimi dhe zhvillimi janë dëshmi për partneritet të fuqishëm me miqtë tanë, por në të njëjtën kohë janë edhe ftesë për edhe më shumë bashkëpunim”.
Më tej Kurti ka shtuar se me Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndajnë vlera, orientime dhe interesa të përbashkëta dhe se me popullin amerikan ndajnë bindjet e fuqishme të përbashkëta për liri, drejtësi dhe demokraci.
Ai theksoi se tek USAID-i gjejnë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës si shtet edhe popullin mik amerikan. “Andaj, le t’i zgjerojmë lidhjet dhe le ta thellojmë bashkëpunimin, në shërbim të të dy vendeve dhe të dy popujve tanë mbi bazën e vlerave dhe bindjeve që ndajmë”, ka thënë tutje Kurti.