Analisti nga Shqipëria, Erli Murati i ftuar në emisionin “FIVE” në RTV Dukagjini, ka thënë se samiti BE-Ballkani Perëndimor është quajtur historik sepse është hera e parë që liderët e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor mblidhen në Tiranë.
“Nga pikëpamja e qëndrimeve politike ose strategjike nuk pritet të ketë surpriza të mëdha. Ky samit mblidhet për të konfirmuar vullnetin e Bashkimit Evropian që Ballkani Perëndimor është pjesë e Evropës dhe nuk mund të jetë nën ndikimin e vendeve të treta”.
Murati ka shtuar se vendimi për mbajtjen e këtij samiti është marr dhe pas agresionit rus në Ukrainë.
Ndërsa për protestën e ish-kryeminstrit Sali Berishës, e cila do të mbahet këtë të martë, Murati ka shtuar se është e drejtë ligjitime dhe ka të drejtë të ushtrohet në demokraci. Problemi i protestës, sipas Muratit është kur protestat tentojnë të pengojnë disa ngjarje dhe zhvillime.
Murati ka shtuar se ky samit duhet të konsiderohet mbi gjithçka dhe shtoi se protesta e opozitës duhet te mbahet jashtë ndërtesës së Qeverisë.
“Berisha është një politikan me eksperiencë dhe ai e di që pëngimi i samitit do të ishte kundërproduktiv edhe për vetë atë”, ka thënë tutje ai.