Siç e do zakoni, pjesëmarrësit e Samitit në Tiranë për Ballkanin Perëndimor dhe Bashkimit Evropian, kanë realizuar “fotografinë familjare” në ambientet e Hotel Marriott, në kullën e Air Albania Stadium.
Fotografia është shkrepur nën ritmin e muzikës folklorike shqiptare dhe vallëzimit të valltarëve të Ansamblit.
Interpretimi i valleve shqiptare ka zgjatur për pak minuta, derisa u pasua me një pikë tjetër të operës shqiptare.
Liderët evropianë dhe ata të Ballkanit Perëndimor janë argëtuar teksa duartrokitën para Pallatit të Kongreseve në Tiranë.
Edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, shihej e kënaqur me interpretimin e muzikës dhe valleve shqiptare.
Liderët e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian dhe ata të Ballkanit Perëndimor në samitin e përbashkët në Tiranë të Shqipërisë, kanë nënshkruar marrëveshjen për zvogëlim të tarifave të roamingut, e cila do të nisë së zbatuari më një tetor të vitit 2023.
Kjo marrëveshje kërkon që të reduktohen edhe tarifat e roamingut mes BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor në vitin 2023, me synimin që ato të hiqen tërësisht më vonë.
Samiti në Tiranë është i pari midis Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor që zhvillohet në territorin e një vendi të rajonit që nuk është në BE.
Megjithatë, përzgjedhja e Tiranës nuk ishte rastësi.
Zgjedhjen e Tiranës për mbajtjen e samitit, Qeveria e Shqipërisë e ka cilësuar si një vlerësim strategjik.
Në këtë takim, udhëheqësit e Bashkimit Evropian pritet të zotohen për mbështetje dhe përshpejtim të procesit të zgjerimit të BE-së, me përfaqësues të vendeve të Ballkanit Perëndimor.