Zyra e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Mitrovicën e Veriut është sulmuar nga persona të panjohur, mbrëmjen e së hënës së pesë dhjetorit.
Ekipi i RTV Dukagjinit i cili po qëndron në terren, ka raportuar se dritaret e kësaj zyreje janë thyer.
Sipas banorëve të asaj pjese, disa persona janë munduar që t’ia vënë flakën.
Portali Dukagjini ka provuar të kontaktojë me policinë e rajonit të Mitrovicës veriore, por deri në momentin e publikimit të lajmit, nuk ka pranuar përgjigje.
RTV Dukagjini ka arritur të marrë pamje nga vendi i ngjarjes.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka caktuar 18 dhjetorin si datë për zgjedhje të jashtëzakonshme për kryetarë të katër komunave veriore të Kosovës: Mitrovicë Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan.
Të katër komunat veriore kanë mbetur pa kryetarë, pas dorëheqjeve të kryetarëve nga radhët e Listës Serbe.
Ndërkaq, Presidentja Osmani kishte konsultuar me partitë politike për datën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Në fund ishte vendosur për datën 18 dhjetor.
Osmani në konferencë për media pas takimit me partitë politike, kishte thënë se do t’i dërgojë kërkesë partnerëve ndërkombëtarë për monitorim të zgjedhjeve.
12 kandidatë janë certifikuar për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë në katër komunat në veri të Kosovë, Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut, që do të mbahen më 18 dhjetor.
Këto zgjedhje erdhën si rezultat i dorëheqjes së kryetarëve serbë, pjesë e Listës Serbe, për të kundërshtuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për targat.