Në komunën e Zubin Potokut janë lëshuar sirenat e alarmit nga banorët serbë që jetojnë atje.
Kjo për shkak të tentimit të tyre për t’i mos lejuar zgjedhjet komunale që shteti i Kosovës është duke i organizuar atje, pas dorëheqjes së kryetarëve të komunave me shumicë serbe.
Në Zubin Potok, po ashtu, është raportuar për disa shpërthime.
Drejtori i ashtuquajturës Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, përmes një njoftimi për media, tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, “ka dërguar pjesëtarë të Policisë së Kosovës me armë të gjata në Komunën e Zubin Potokut”.
Ndryshe, zyra e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Mitrovicën e Veriut është sulmuar nga persona të panjohur, mbrëmjen e së hënës së pesë dhjetorit.
Ekipi i RTV Dukagjinit i cili po qëndron në terren, ka raportuar se dritaret e kësaj zyreje janë thyer.
Sipas banorëve të asaj pjese, disa persona janë munduar që t’ia vënë flakën.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka caktuar 18 dhjetorin si datë për zgjedhje të jashtëzakonshme për kryetarë të katër komunave veriore të Kosovës: Mitrovicë Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan.
Të katër komunat veriore kanë mbetur pa kryetarë, pas dorëheqjeve të kryetarëve nga radhët e Listës Serbe.