25 persona janë arrestuar në Gjermani, pas bastisjes së dhjetëra lokacioneve në 11 shtete federale, të cilët dyshoheshin për komplot për rrëzimin e Qeverisë.
Raportimet nga mediat gjermane thonë se grupi i figurave të ekstremit të djathtë dhe ish-ushtarakëve planifikonin të sulmonin ndërtesën e parlamentit, Reichstag, dhe të merrnin pushtetin.
Në krye të grupit dyshohet se ishte një 71-vjeçar, të cilit i referoheshin si princi Heinrich XIII, raporton BBC.
Sipas prokurorëve federalë, ai është një nga dy të dyshuarit kryesorë në mesin e të arrestuarve në 11 shtete gjermane.
Pjesë e këtij grupi thuhet se janë anëtarë të lëvizjes ekstremiste “Reichsbuerger” apo “Qytetarët e Rajhut”, të cilët janë prej kohësh në vëzhgimin e policisë gjermane për sulme të dhunshme dhe teori konspirative raciste.
Ata gjithashtu refuzojnë të njohin shtetin modern gjerman.
Rreth 50 burra dhe gra dyshohet se kanë qenë pjesë e grupit që thuhet se kanë bërë komplot për të përmbysur Republikën dhe për ta zëvendësuar atë me një shtet të ri të modeluar sipas Gjermanisë së vitit 1871.
Ndryshe, bastisjet u zhvilluan në pjesën më të madhe të vendit dhe dy persona u arrestuan në Austri dhe Itali, njoftoi agjencia gjermane e lajmeve DPA.
Ministri i Drejtësisë, Marco Buschmann shkroi në Twitter se një operacion i madh anti-terror po ndodhte dhe se ishte planifikuar një sulm i dyshuar i armatosur ndaj organeve kushtetuese.
Prokurori federal tha se grupi kishte komplotuar një grusht shteti të dhunshëm që nga nëntori 2021.
Raportimet e mediave gjermane kanë thënë se ish-anëtarët e ushtrisë ishin gjithashtu një pjesë e rëndësishme e komplotit të grushtit të shtetit dhe se ata përfshinin ish-ushtarë elitë nga njësitë speciale.