Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë (ShBA), Jeff Hovenier, ka thënë se për momentin, nuk janë krijuar kushtet e duhura që të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat veriore, të planifikuara për 18 dhjetor. Ai, gjithashtu, ka theksuar se siguria e të gjithë qytetarëve të Kosovës duhet të jetë prioriteti më i lartë.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të shqetësuara se nuk janë krijuar kushtet për momentin që zgjedhjet të mbahen në fund të këtij muaji në veri të Kosovës. Siguria e të gjithë qytetarëve të Kosovës duhet të jetë prioriteti më i lartë. Ne kërkojmë që të gjithë të përfshirët të vetëpërmbahen”, ka shkruar të mërkurën Hovenier, në Twitter.
The United States condemns those who employed violence during yesterday’s incidents in northern Kosovo. Resorting to violence and intimidation, including use of an explosive device, and endangering lives is never an appropriate method of protest, under any circumstances. 1/2
— Ambassador Jeff Hovenier (@USAmbKosovo) December 7, 2022
Hovenier, po ashtu, dënoi incidentet e djeshme në veri, duke thënë se përdorimi i dhunës dhe i frikësimit nuk është një metodë e përshtatshme proteste.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës dënojnë ata që ushtruan dhunë gjatë incidenteve të djeshme në veri të Kosovës. Përdorimi i dhunës dhe i frikësimit, duke përfshirë përdorimin e një mjeti shpërthyes dhe rrezikimin e jetëve nuk është kurrë një metodë e përshtatshme proteste, në asnjë rrethanë”, ka vijuar tutje Hovenier.
Ndryshe, të martën, në Zubin-Potok dhe Mitrovicë Veriore, persona të maskuar kanë dëmtuar zyrat e komisioneve komunale zgjedhore, duke përdorur mjete të rrezikshme.
Pastaj në orët e vona është larguar mjeti shpërthyes, i cili gjendej në këtë objekt.
Ndërsa, lidhur me mjetin shpërthyes që tashmë është deminuar, zyrtarët policorë në mënyrë jozyrtare, thanë se bëhet fjalë për një granatë që nuk ka qenë e shpërthyer më parë.
Para kësaj, Policia e Kosovës kishte vendosur shirita te zyrat e Komisionit Komunal Zgjedhor të Veriut të Mitrovicës.
Policia e Kosovës kishte njoftuar se nga shpërthimet, nuk pati të lënduar.
Krerët e Kosovës, Albin Kurti dhe Vjosa Osmani, i dënuan sulmet në veri, duke thënë se janë të orkestruara nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Situata në veri, objekti i KKZ vazhdon të vëzhgohet nga EULEX-i