Negociatat Kosovë-Gjermani: Gjermania zoton 37 milionë euro për ta përafruar Kosovën me Bashkimin Evropian

Me përfundimin e negociatave ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Gjermanisë për bashkëpunim zhvillimor, pala gjermane është zotuar që do ta vazhdojë mbështetjen financiare ndaj Kosovës në vlerë prej 37 milionë euro për periudhën 2022-2023

Pamje nga takimi i përbashkët ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Gjermanisë-Prishtinë 07/12/2022





Me përfundimin e negociatave ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Gjermanisë për bashkëpunim zhvillimor, pala gjermane është zotuar që do ta vazhdojë mbështetjen financiare ndaj Kosovës në vlerë prej 37 milionë euro për periudhën 2022-2023, një gjë e tillë u bë e ditur përmes një postimi në Facebook nga Ministria e Financave.

U theksua se me këtë zotim, mbështetja gjermane për bashkëpunim zhvillimor arrin shumën prej 64.42 milionë euro që nga dhjetori 2020, kur edhe janë mbajtur negociatat e fundit qeveritare.

Ndër të tjera, Ministria e Financave ka theksuar se Kosova dhe Gjermania do t’i adresojnë së bashku sfidat kryesore të së ardhmes duke u pajtuar për intensifikim të mëtejshëm të bashkëpunimit zhvillimor.

“ Prioritetet e bashkëpunimit zhvillimor përfshijnë: zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, trajnimin dhe punësimin, ndryshimet klimatike dhe energjinë, tranzicionin e drejtë dhe qeverisjen e mirë”, thuhet tutje në njoftim.

Në anën tjetër, Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde u shpreh se “sot të dyja vendet tona po hapin një kapitull të ri të partneritetit tonë të palëkundur për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të Kosovës në përputhje me Marrëveshjen e Gjelbër Evropiane dhe Agjendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor. Me këtë ne mbështesim Kosovën në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian.”

Ndër të tjera, Ministria e Financave në njoftim ka treguar se kjo marrëveshje e bashkëpunimit gjermano-kosovarë synon nxitjen e aftësimit profesional, arsimit dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës, që më pas do të ndikojnë edhe në përmirësim të kushteve të jetesës për qytetarët e Kosovës.

“Marrëveshja e bashkëpunimit gjermano-kosovarë synon nxitjen e aftësimit profesional dhe arsimor, si dhe krijimin e vendeve të reja të punës si bazë për zhvillimin ekonomik të Kosovës. Theks i veçantë i është kushtuar edhe investimeve të mëtejme në Parkun e Inovacionit dhe Trajnimit në Prizren (ITP), si projekti kryesor i bashkëpunimit zhvillimor gjermano-kosovarë. Në lidhje me politikat energjetike, sektori publik dhe privat, si dhe shoqëria civile, do të marrin mbështetje në zbatimin e Strategjisë Kombëtare të Energjisë 2022-2031 dhe Planit Kombëtar të Energjisë dhe Klimës (NECP). Gjithashtu, fonde të konsiderueshme do të ndahen përmes investimeve në infrastrukturën e ujërave të zeza, duke synuar mbrojtjen e burimeve ujore nëntokësore dhe lumenjve të rrezikuar. Kjo kontribuon ndjeshëm në përmirësimin e kushteve të jetesës për qytetarët e Kosovës”, bëhet e ditur në njoftimin e Ministrisë së Financave.

Ndërkaq, Ministri i Financave, Hekuran Murati ka falënderuar të dy delegacionet dhe theksoi se Kosova është mbështetur dhe vazhdon të mbështetet nga Gjermania për zhvillim dhe anëtarësim në Bashkim Evropian.

“Gjermania ka qenë dhe vazhdon të jetë një mbështetëse e vazhdueshme e zhvillimit tonë për më shumë se 20 vjet. Ne kemi ndarë vlera të përbashkëta që nga fillimi dhe mbështetemi në mbështetjen e Gjermanisë drejt realizimit të aspiratave tona për të zhvilluar më tej Kosovën dhe për të ndihmuar vendin drejt anëtarësimit në BE”, ka thënë Murati.

Ndryshe, Gjermania është ndër donatorët më të mëdhenj dypalësh në Kosovë. Me angazhimet e reja të ndërmarra, Gjermania dhe Kosova vazhdojnë 23 vjet bashkëpunim të suksesshëm zhvillimor gjermano-kosovar.

Që nga fillimi i bashkëpunimit zhvillimor gjermano-kosovar në vitin 1999, qeveria gjermane ka ndarë 753.1 milionë euro për rindërtimin dhe zhvillimin e vendit.

Objektivi kryesor i bashkëpunimit zhvillimor të Gjermanisë me Kosovën është afrimi i saj me Bashkimin Evropian përmes projekteve me ndikim në fushat e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, tranzicionit dhe efikasitetit të energjisë, përmirësimit të infrastrukturës së menaxhimit të ujërave të zeza dhe mbeturinave dhe forcimit të qeverisjes së mirë.

Për më tepër, Ministria e Financave ka shkruar se edhe zgjerimi i kapaciteteve të energjisë diellore në të ardhmen e afërt do të jetë një tjetër objektiv prioritar.





Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika