Aktakuzë ndaj katër personave në rastin “Prishtina Jet”, me 242 të dëmtuar

Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka ngritur aktakuzë ndaj katër personave, të cilët dyshohen se kanë kryer veprën penale “Mashtrimi” dhe atë “Shmangie nga tatimi”





Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka njoftuar se Prokurori i Shtetit ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve M.K., A.B., S.Z. dhe N.H., pasi në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Mashtrimi”, ndërsa ndaj të pandehurit M.K., po ashtu për veprën penale “Shmangie nga tatimi”.

Siç bëhet e ditur në aktakuzë, të pandehurit nga viti 2020 e deri më 4 gusht 2022, përmes Agjencisë Turistike “Prishtina Jet sh.p.k”, pas një marrëveshjeje paraprake dhe në bashkëkryerje, me qëllim që vetes t’i sjellin përfitim pasuror në mënyrë të kundërligjshme, i kanë vënë në lajthim një numër të konsiderueshëm bashkatdhetarësh (242 tani të dëmtuar).

Në aktakuzë thuhet se të pandehurit i kanë nxitur bashkatdhetarët që të veprojnë në dëm të pasurisë së tyre, përmes paraqitjes së fakteve të rreme, në atë mënyrë që i pandehuri M.K., si pronar, kurse A.B., si menaxher i agjencisë së lartcekur, u kanë shitur të dëmtuarve bileta fiktive për udhëtim me aeroplan nga shtetet e Gjermanisë dhe atë të Zvicrës për në Prishtinë dhe anasjelltas.

Përmes reklamimit në websajtin e tyre dhe sms-ave, u kanë dërguar të dëmtuarve oferta joshëse për blerje të biletave fiktive me një çmim më të lirë sesa çmimi real, të cilat fluturime nuk janë realizuar asnjëherë ngase nuk kanë qenë të planifikuara e as të rezervuara apo të konfirmuara në sistemin e fluturimeve në Aeroportin e Prishtinës, e as të atyre të Gjermanisë dhe të Zvicrës.

“Të pandehurit S.Z dhe N.H., përmes një marrëveshjeje (kontratë interne, e pa noterizuar) të nënshkruar me të pandehurin M.K., kanë krijuar një xhirollogari bankare në një bankë në Lucern të Zvicrës, të cilët në këmbim të një kompensimi prej 4 Eurosh për çdo transaksion kanë mundësuar shitjen e biletave fiktive të dëmtuarve në emër të agjencisë, ku pastaj mjetet e mbledhura nga shitja e këtyre biletave, prej qindra mijëra eurosh, i kanë transferuar në xhirollogaritë bankare të agjencisë në Prishtinë dhe në llogari të tjera të pandehurit M.K., kurse shumën prej 26,000.02 CHF i kanë transferuar në llogarinë bankare e të pandehurit N.H., çka me këtë, të dëmtuarve u kanë shkaktuar dëm material në shumën prej 165,246.00 €, si dhe 56,981.00 CHF”, thuhet në njoftim.

Ndërsa, i pandehuri M.K., nga viti 2020 e deri më 6 maj 2022, në cilësinë e personit përgjegjës të subjektit afarist, respektivisht Agjencionit turistik “Prishtina Jet Sh.p.k”, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror ka bërë shmangie nga pagesa e tatimeve të parapara me legjislacionin tatimor në Kosovë, në atë mënyrë që pas një kontrolli të bërë në lokalin e tij nga ana e inspektorëve të Administratës Tatimore të Kosovës, është konstatuar se i pandehuri ka deklaruar rrejshëm të hyrat dhe arkëtimet e realizuara nga qarkullimi i biznesit të tij tek organet kompetente, respektivisht te ATK-ja, për periudhën e lartcekur kohore, çka me këtë ka bërë shmangie tatimore dhe ka dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës në shumën prej 24,928.38 €.

“Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që të pandehurit e lartcekur të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale të cila iu vihen në barrë, po ashtu, ka propozuar të konfiskohet dobia pasurore e fituar nga veprat penale, dhe atë shuma prej 35,000.00 CHF, 4,026.00 €, një veturë e tipit “Shkoda” e vitit 2017, shuma prej 165,246.00 € dhe 56,981.00 CHF, si dhe të pandehurit të URDHËROHEN për kompensimin e dëmit të shkaktuar të dëmtuarve sipas fletëpagesave/provave materiale të këtij rasti penal”, njofton Prokuroria.





Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika