Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të mërkurën, ka pritur në takim ambasadorin e Francës në Kosovë, Olivier Guerot.
Sipas njoftimit nga Presidenca, temë e diskutimit të takimit ishin marrëdhëniet bilaterale, koordinimin e Kosovës dhe Francës, si dhe zhvillimet e fundit të sigurisë në vend, rajon dhe më gjerë.
Osmani ka përsëritur angazhimin proaktiv të institucioneve të Republikës së Kosovës, për ruajtjen e paqes dhe sigurisë në të gjithë territorin e shtetit.
Osmani dhe ambasadori Guerot diskutuan mbi rezultatet e samitit të 18-të të krerëve të shteteve të Frankofonisë të mbajtur në Gjerba të Tunizisë, ku Kosova u përfaqësua nga Presidentja Osmani.
Në këtë drejtim, presidentja foli edhe për diskutimin me presidentin francez, Emmanuel Macron, gjatë punimeve të samitit si mundësi e mirë që të riafirmohet rëndësia e partneritetit në këtë kohë përcaktuese për sigurinë e përbashkët.
Tutje, sipas njoftimit, bashkëbiseduesit u ndalën te Samiti i liderëve të shteteve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në Tiranë, me ç’rast, Osmani e informoi ambasadorin Guerot mbi diskutimet e saj me liderët evropianë për përkushtimin e institucioneve dhe popullit të Kosovës, për ta avancuar rrugëtimin evropian, në veçanti planet e Kosovës për aplikim për anëtarësim në BE.