Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se janë zhdukur mostrat e Astrit Deharit nga laboratori i toksikologjisë.
“Mbrëmë është kuptuar se janë zhdukur mostrat e Astrit Deharit nga Laboratori i Toksikologjisë”, ka thënë Haxhiu.
Haxhiu ka thënë se mbrëmë është kuptuar që mungojnë mostrat, por që nuk dihet se kur janë zhdukur.
“Në raksat apo mbajtëset e epruvetave kanë qenë 15 epruveta me gjak, një e urinës dhe një e lukthit. Nga këto, dy epruveta me gjak ia ka dhënë Institutit Zvicerran dhe policisë. Sipas informacioneve mungojnë 12 epruveta me gjak, një e urinës dhe një e lukthit”, ka vijuar Haxhiu.
Ajo ka theksuar se në këtë vend kanë qasje vetëm 3 persona.
“Në vendin ku ruhen këto mostra, kanë qasje vetëm tre persona, prej gjashtë vitesh, të gjitha të dhënat, provat dhe dëshmitarët janë tentuar të shtrembërohen apo zhduken”.
Ajo ka thënë se ky është akt i rëndë kriminal dhe se ka njoftuar menjëherë kryeprokurorin dhe drejtorin e policisë, pasi siç thotë ajo, kjo situatë e rëndë vë hije dyshimi në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
“Siguria në IML nuk ka qenë në nivel e as nuk është në nivelin e duhur, kemi dërguar edhe më herët në prokurori, por tash kanë kaluar çdo kufi”.
Ajo ka thënë se e di emrin e atyre që kanë qasje, dhe se do të merren të gjitha masat në përputhje me përgjegjësitë.
“Protokolli ku ruhen mostrat është shumë strikt, nëse ndjeket kuptohet qartë kush është përgjegjës, ata që kanë pasur guximin të veprojnë në këtë mënyrë, kjo na bën të mendojmë se këtë guxim të mbrapshtë mund ta bëjnë ata që kanë për qëllim të dëmtojnë këtë proces”.
Ndër të tjera, ajo ka shtuar se kushdo që ka guxuar të bëjë këtë akt mizor do të përballet me institucionet përgjegjëse.
“Njëjtë ka ndodhur edhe me këdo që ka pasur vullnet ta zbardhë këtë rast, ne besojmë që ky akt i rëndë e kriminal ka një motiv si më herët, të dëmtojë më tej këtë proces si dhe të tentojë të na vesh neve me përgjegjësi”.
Ndryshe, Astrit Dehari ka ndërruar jetë më 5 nëntor të vitit 2016, brenda Qendrës së Paraburgimit në Prizren.