Ylli portugez, Cristiano Ronaldo, ka reaguar të enjten pas raportimeve se kishte kërcënuar trajnerin e Portugalisë, Fernando Santos, se do të largohet nga Kupa e Botës.
Ai, në një postim në rrjetet sociale, ka theksuar se Portugalia është e bashkuar për ta arritur ëndrrën në Kupën e Botës.
“Një grup shumë i bashkuar për t’u thyer nga forcat e jashtme. Një komb shumë i guximshëm për t’u frikësuar nga çdo kundërshtar. Një ekip në kuptimin e vërtetë të fjalës, që do të luftojë për ëndrrën deri në fund! Merrni një hap të besimit me ne! Hajde, Portugali”, ka shkruar ai.
Ndërsa, të enjten, Federata Portugeze e Futbollit ka sqaruar se Ronaldo, në asnjë moment, nuk ka kërcënuar largimin e tij nga kombëtarja e Portugalisë në Katar.
Po ashtu, është theksuar se raportimet që pretenduan se Ronaldo kërcënoi të largohej nga kombëtarja gjatë një bisede me trajnerin, Fernando Santos, nuk janë të vërteta.
Ndër të tjera, FPF ka theksuar se Ronaldo po ndërton një rekord unik në shërbim të kombëtares së tij, gjë e cila sipas tyre, është dëshmuar edhe në fitorën kundër Zvicrës.
Kombëtarja e Portugalisë, të shtunën do ta luajë ndeshjen çerekfinale ndaj Marokut.