Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, të enjten ka pritur në takim Ambasadorin e ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier.
Abdixhiku nëpërmjet një postimi në Facebook, ka bërë të ditur se gjatë takimit kanë diskutuar për zhvillimet e fundit politike në vend, me theks të veçantë gjendjen e sigurisë në Kosovë.
“Bashkë diskutuam për zhvillimet e fundit politike në vend, me theks të veçantë gjendjen e sigurisë në Republikën e Kosovës. LDK beson se koordinimi i ngushtë i institucioneve të vendit me aleatët tanë strategjik është garancë e sigurisë sonë nacionale dhe e rrugëtimit tonë euroatlantik”, ka shkruar ai në rrjetin social Facebook.
Kujtojmë se, shpërthime të njëpasnjëshme kanë ndodhur në veri të vendit të martën e gjashtë dhjetorit, pikërisht në ditën kur në Tiranë në Samitin BE-Ballkani Perëndimor, u bë thirrje për zbatim të marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë
Ndërsa, vendimi për shtyrjen e mundshme të zgjedhjeve në veri të Kosovës do të merret vetëm pas vlerësimit të situatës së sigurisë në këtë pjesë të vendit, kështu ka thënë Presidenca e Kosovës.
Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se është i bindur se Policia e Kosovës “ka kapacitete për të garantuar procese demokratike”.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat e banuara me shumicë serbe – Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq e Zveçan – janë caktuar të mbahen më 18 dhjetor.