Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, pritet të nisë të hënën një vizitë në Kosovë.
Ai pritet të jetë i shoqëruar nga i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit, ka thënë se “Escobar udhëton shpesh në rajon dhe do të jetë aty për konsultime të rregullta”.
Vizita e tyre pritet të ndodhë në kohën e rritjes së tensioneve në veri të Kosovës.
Më 6 dhjetor, disa grupe të qytetarëve serbë kanë penguar hyrjen e zyrtarëve të Komisionit Qendror Zgjedhor në zyrat e këtij institucioni në veri, me qëllim të përgatitjes për zgjedhje, dhe kështu kanë shkaktuar incidente me armë zjarri.
Për incidente të tilla është raportuar në Zubin Potok dhe Mitrovicë të Veriut, komuna me shumicë serbe në veri të Kosovës.
Një ditë më vonë, në Mitrovicë të Veriut është raportuar për dy shpërthime me shok bomba.