Për shkak të situatës së tensionuar ditëve të fundit, Policia e Kosovës ditëve në vijim do ta rris prezencën policore në veri të Kosovës.
Në njoftim thuhet se qëllim kryesor i organeve të rendit është ofrimi i sigurisë për qytetarët që jetojnë atje.
Sipas tyre, Policia e Kosovës, ka kapacitete të mjaftueshme për menaxhim dhe kontrollim të situatës së sigurisë në veri.
“Ruajtja e rendit publik, garantimi i sigurisë, mbrojtja e jetës dhe pronës për të gjithë qytetarët pa dallim, janë ndër objektivat kryesore të Policisë së Kosovës. Në aspektin operacional policor, Policia e Kosovës ka kapacitete për menaxhimin dhe kontrollin e situatës së sigurisë dhe ruajtjen e rendit në gjithë vendin, si dhe ndërmarrjen e veprimeve për zbatimin e ligjshmërisë në vend”, thuhet në njoftim.
“Prioritet i Policisë së Kosovës është ofrimi i sigurisë për të gjithë qytetarët, andaj duke vlerësuar situatën dhe rrjedhat aktuale në komunat veriore, policia ditëve në vijim do të rris prezencën policore në veri me qëllim të arritjes së objektivave të policisë”, vijon njoftimi.
Njoftimi i policisë vijon duke thënë se do të vazhdohet angazhimi në realizimin e detyrave policore në shërbim të qytetarëve të vendit, komuniteteve pa dallim dhe ofrimin e sigurisë së përgjithshme në gjithë territorin e vendit.