Të premten do të protestojnë punëtorët teknikë të sektorin privat, të cilët punojnë në Qendrat e mjekësisë familjare dhe në disa shkolla të Prishtinës.
Përmes kësaj proteste, ata kërkojnë ngritje të pagave.
Protesta pritet të nisë nga ora 11:00, para objektit të komunës së Prishtinës (ndërtesa e vjetër e Komunës).
Një gjë të tillë, e ka bërë të ditur Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, i cili të mërkurën e 7 dhjetorit, ka konfirmuar se pas takimit me kryetarë të shoqatave sindikale të punëtorëve teknikë të disa shkollave të Prishtinës dhe Qendrave të Mjekësisë Familjare, është marrë vendimi për këtë protestë.
Ai ka shtuar se po kërkojnë rritjen e pagave, ngase paga prej 230 euro për këta punëtorë është e pamjaftueshme.
“Pagat e punëtorëve janë 230 euro, shumë të vogla dhe duhet të njoftojmë komunën se nuk mund të punojmë me këto paga. Ne po tërheqim vërejtjet tona me protestë tona dhe sigurisht është vetëm nismë dhe shpresojmë të kemi gjuhë të përbashkët dhe besoj se do të na kuptojnë sepse nëse shkojmë në heshtje do të mbesim pa punëtorë”, ka thënë Azemi.
Punëtorët teknikë të shkollave dhe QMF-ve në Prishtinë protestojnë të premten