Naim Uka ka dhënë dorëheqje nga pozita e zëvendësdrejtorit në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
Burime të Radio Televizionit Dukagjini, të afërta me këto zhvillime, kanë treguar se Uka e ka marrë këtë vendim, pas denoncimit të ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, për zhdukjen e disa mostrave të ish-aktivistit të ndjerë të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari.
Uka nuk i është përgjigjur deri tash thirrjeve telefonike dhe mesazheve të dërguara nga RTV Dukagjini.
Me vendim të komisionit disiplinor të IML-së, gjatë së enjtes janë pezulluar nga puna katër zyrtarë të këtij institucioni deri në vendimin përfundimtar për rastin.
Masa u shqiptua ndaj Nardi Sheqergjiut, Flutura Gogës, Ilirjana Shalës dhe Anila Lakna.