Të premten e 9 dhjetorit në Kuvendin e Kosovës është miratuar në parim Projektligji për Zyrtarët Publikë me 61 vota pro dhe një votë abstenim.
Opozita ka kritikuar këtë projektlidh duke thënë se nëpërmjet tij pushteti po e kap administratën zyrtare.
Nga opozita janë përmendur edhe shqetësimet e Bashkimit Evropian se projektligji është problematik nga pikëpamja e sigurimit të shërbimit civil të bazuar në merita dhe të aftë për të tërhequr e mbajtur kandidatë profesionistë.
Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, ka thënë se me Projektligjin për Zyrtarët Publikë, të cilin qeveria e ka dërguar në Kuvend, do të cenohet pavarësia dhe kualiteti i administratës.
Në seancën e Kuvendit, Tahiri ka kërkuar nga qeveria për të tërhequr këtë ligj dhe të mos kalojë në lexim të parë.
“Në këtë formë që po shkojmë, me këtë ligj që besoj që duhet me tërheq qeveria, sepse si opozitë jemi shumë të interesuar me dhënë kontributin tonë ashtu siç e kemi dhënë në të kaluarën, dhe me u ulë edhe njëherë me e pa, me e trajtu, që mos me u dëmtu interesin shtetëror dhe mos me u dëmtu administrata publike”, ka thënë Tahiri.
PDK kërkon nga qeveria tërheqjen e Projektligjit për Zyrtarët Publikë