Këshilltari i lartë i Departamentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës(DASH), Derek Chollet, ka thënë se zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale në katër komunat veriore të Kosovës duhet të shtyhen për arsye të sigurisë.
“Ne e kemi shprehur qartë se mendojmë se nuk është koha e duhur për zgjedhje duke pasur parasysh brishtësinë e situatës në këto momente”, ka deklaruar Chollet.
“Vetëm 24 orët e fundit kemi parë veprime të dhunshme, është një kohë shumë e tensionuar dhe duam të sigurohemi që ekzistojnë kushtet e duhura që këto zgjedhje të jenë të lira dhe të ndershme. Kosova është një demokraci shumëetnike, si Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka thënë ai.
Më tej diplomati amerikan ka thënë se ShBA-ja është krenare që ka arritur ta bëjë vendosjen e demokracisë në Kosovë në 20 vjetët e fundit.
“Ne duam të vazhdojmë të punojmë për ta mbështetur dhe mbrojtur atë. Prandaj, ne sugjerojmë me respekt, që këto zgjedhje të shtyhen, derisa të vijë koha e duhur kur mund të mbahen, pa nxitur më shumë paqëndrueshmëri dhe dhunë”, ka përfunduar Chollet për Zërin e Amerikës.