Për policin që u plagos në veri të vendit nuk pati nevojë të paguaj askush për mjetet gjatë operimit.
Saktësisht për penjtë kirurgjikë që po mungojnë tash e sa kohë në QKUK.
Por, për tjerë pacientë mesa duket nuk po ndodhë kështu.
U.D. e drejtoreshës së SHSKUK-së, Pranvera Zenjullahu Raci tha se për këtë rast i kanë siguruar e la të kuptohet se jo gjithmonë kanë. “I kemi siguru për raste”, ka thënë ajo.
Mungesa e penjve kirurgjik është problem pothuajse qe një vit brenda klinikave të QKUK-së, e që po vazhdon akoma, kanë konfirmuar burime brenda klinikave për televizionin.
Përpos penjve kirurgjik qytetarë po detyrohen të blejnë edhe pajisje të tjera bazike. Të tilla raste po raportohen edhe ndërmjet rrjeteve sociale.
Mungesën e pajisjeve brenda klinikave të QKUK-së po e kritikojnë anëtarët e Komisionit parlamentar për shëndetësi derisa kritika të ashpra kanë për Qeverinë.
Shemsedin Dreshaj nga Komisioni për Shëndetësi ka thënë se “Gjendja në shendetësi nuk është fare e mirë, realisht mund të vlerësojmë që kurrë më keq nuk është kanë ma keq por një situatë e tillë është krejtësisht e kuptueshme deri sa ministria ka dy muaj që nuk ka ministër”.
Bekim Haxhiu nga Komisioni për Shëndetësi ka deklaruar se “Jemi duke e pa një keqmenaxhim edhe keqplanifikim I cili po rezulton me mungesa të mëdha të pajisjeve dhe investimeve”.
Por, një problem të tillë nuk e ka njëra nga klinikat e QKUK-së.
Hajrie Ismaili, drejtoresha e Neonatologjisë ka potencuar se “Kërkesat për ti plotësuar nevojat për shërbime cilësore bëhen gjithmonë me kohë dhe realisht jemi mirë të furnizuar”.
Për zgjidhjen që institucionet po planifikojnë, televizioni ka pyetur Shërbimin Klinik Universitar të Kosovës dhe Ministrinë e Shëndetësisë, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.
Sistemi i shëndetësisë ishte një nga premtimet kryesore të Lëvizjes Vetëvendosje në fushatën zgjedhore derisa pak ka ndryshuar në këtë kohë.
Madje, ka më shumë se dy muaj që ky dikaster është pa ministër derisa një komitet për shëndetësi e udhëheq vet kryeministri, Albin Kurti.