Zëvëndëskryeministri, Besnik Bislimi ka thënë se vizita e tij tri ditore në Bruksel pati për qëllim koordinimin me institucionet e BE-së, lidhur me aplikimin për anëtarësim në BE.
Përmes një postimi në Facebook, Bislimika treguar se vizita e tij përfshiu edhe takimet në Parlament e në Komisionin Evropian.
“Vizita 3 ditore e zhvilluar në Bruksel, pati për qëllim informimin dhe koordinimin me institucionet kryesore të Bashkimit Evropian, në lidhje me aplikimin për anëtarësim në BE. Zhvilluam takime në Parlament, Këshill e Komision Evropian, veçanërisht me Komisionerin për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi. Kosova ka shprehur përkushtimin e plotë ndaj vlerave e standarteve evropiane. Raporti për vendin 2022, riafirmoi progresin e fuqishëm të Kosovës në sundim të ligjit, demokratizim, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, politikat sociale e zhvillimit ekonomik mes shumë të tjerash. Kosova është tashmë në një trajektore të re të zhvillimit”, ka shkruar Bislimi.
Krahas kësaj, ai e ka cilësuar aplikimin për antarësim në BE sikurse një shenjë e lartë përkushtimi nga ana e Kosovës.
“Ky është një hap i natyrshëm dhe jemi gati për aplikimin për anëtarësim dhe kalimin mëtej në fazat e ardhshme, me përkushtimin e plotë në rrugën e gjatë përpara dhe në proceset e integrimit evropian. Aplikimi për anëtarësim në BE, është shenjë e përkushtimit maksimal të Kosovës ndaj Bashkimit Evropian, të ndërthurur me mbështetjen e vazhdueshme të institucioneve të BE-së ndaj rrugëtimit e procesit të integrimit evropian të vendit”, ka thënë Bislimi.
Ky i fundit ka theksuar se “Ne jemi të përkushtuar të tregojmë me të gjitha kapacitetet tona, vullnetin për të ecur përpara drejt Bashkimit Evropian”.
Në komunikatën e dërguar për media parapak ditësh, thuhej se kjo vizitë do të shërbejë për informimin dhe koordinimin me partnerët tanë evropianë, në tre institucionet kryesore të BE-së, sa i përket aplikimit të Republikës së Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
“Kjo vizitë, do të shërbejë për informimin dhe koordinimin me partnerët tanë evropianë, në tre institucionet kryesore të BE-së, sa i përket aplikimit të Republikës së Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, thuhej në komunikatën e dërguar për media, transmeton Portali Dukagjini.