Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, tha të premten se Moska mund ta përvetësojë atë që ai e përshkroi si koncept të SHBA-së për sulme parandaluese ushtarake, duke shtuar se Rusia i ka armët për ta bërë një gjë të tillë.
Këtë deklaratë ai e bëri në një samit në Kirgistan ku është mbledhur aleanca ekonomike e vendeve ish-Sovjetike, mes tensioneve në rritje mes Rusisë dhe NATO-s për luftën në Ukrainë.
“Ne thjesht po e mendojmë. Ata nuk kanë qenë shumë të turpshëm kur e kanë diskutuar haptazi këtë gjatë viteve të fundit”, tha Putini, duke iu referuar politikave të SHBA-së.
Për vite me radhë, Kremlini ka shprehur shqetësimin për përpjekjet e SHBA-së për ta zhvilluar aftësinë që të godasë me saktësi objektivat strategjike të një kundërshtari kudo në botë brenda një ore.
“Kur flasim për sulme çarmatosëse, ndoshta ia vlen të mendohet për përvetësimin e ideve të zhvilluara nga homologët tanë amerikanë, ideve të tyre për ta garantuar sigurinë e tyre”, tha Putini me një buzëqeshje, duke vënë në dukje se një sulm i tillë parandalues kishte për qëllim të rrëzonte objektet komanduese.
Ai tha se Rusia tashmë ka porositur armë hipersonike që mund të kryejnë sulm të tillë, ndërsa SHBA-ja nuk e ka bërë ende këtë. Ai gjithashtu tha se Rusia tani ka raketa lundrimi që i lënë prapa ekuivalentet e tyre në SHBA.
Përderisa Putini u duk se po i referohej armëve konvencionale kur foli për përvetësimin e mundshëm të strategjisë së SHBA-së, ai vuri në dukje veçanërisht se SHBA-ja nuk e ka përjashtuar përdorimin e armëve bërthamore.
“Nëse kundërshtari potencial beson se mund ta përdorë teorinë e një sulmi parandalues dhe ne jo, kjo na bën të mendojmë për kërcënimet që vijnë nga ide të tilla në pozicionet mbrojtëse të vendeve të tjera,” tha ai.
Në Uashington, këshilltarët e presidentit Joe Biden i cilësuan komentet e Putinit si kërcënuese dhe si një paralajmërim tjetër që ai mund të përdorë në mënyrë strategjike një armë bërthamore, sipas një zyrtari amerikan që foli në kushte anonimiteti.
Zyrtari theksoi se doktrina ushtarake ruse ka deklaruar prej kohësh se Moska ka të drejtën të përdorë një armë bërthamore në përgjigje të agresionit ushtarak.
John Erath, drejtor i lartë i politikave për Qendrën për Kontrollin e Armëve dhe Mospërhapjen, gjithashtu e pa deklaratën e Putinit si një përpjekje tjetër për të shtuar kërcënimin bërthamor.
“Ai nuk thotë qartë se ne do të përdorim armë bërthamore, por ai dëshiron që diskutimet në SHBA dhe Evropë të jenë: ‘Sa më shumë të zgjasë kjo luftë, aq më i madh është rreziku që të përdoren armë bërthamore’”, tha Erath.
Putin u pyet të mërkurën në një konferencë në Kremlin nëse Rusia mund të premtojë se nuk do të sulmojë e para me armë bërthamore dhe ai tha se një premtim i tillë do ta parandalonte Rusinë nga përdorimi i tyre edhe nëse rrezikohen nga një sulm bërthamor.
Ai e shtjelloi këtë përgjigje edhe më tutje të premten, duke thënë se doktrina bërthamore e Rusisë parashikon përdorimin e armëve bërthamore kur paralajmërohet një sulm i afërt bërthamor i vërejtur nga sistemet e saj të paralajmërimit të hershëm.
“Kur sistemi i paralajmërimit të hershëm merr një sinjal për një sulm me raketa, ne lëshojmë qindra raketa që është e pamundur të ndalohen”, tha ai duke buzëqeshur.
“Kokat e raketave të armikut do të arrinin në mënyrë të pashmangshme në territorin e Federatës Ruse. Por edhe nga armiku nuk do të mbetej asgjë, sepse është e pamundur të kapësh qindra raketa. Dhe ky, natyrisht, është një faktor parandalues”.
Doktrina bërthamore e Rusisë thotë se vendi mund të përdorë armë bërthamore nëse goditet me armë bërthamore ose nëse përballet me një sulm me armë konvencionale që kërcënon “vetë ekzistencën” e shtetit rus.
Që nga dërgimi i trupave ruse në Ukrainë në shkurt, Putin ka thënë vazhdimisht se Moska është e gatshme të përdorë “të gjitha mjetet që ka në dispozicion” për të mbrojtur territorin e saj dhe ka hedhur poshtë kritikat perëndimore për kërcënimet bërthamore.
“Unë e kuptoj se që kur armët bërthamore, armët e shkatërrimit në masë, janë shfaqur, të gjithë njerëzit – i gjithë njerëzimi – kanë qenë të shqetësuar se çfarë do të ndodhë me planetin dhe të gjithë ne”, tha ai.
Duke folur të premten në Komandën Strategjike të SHBA-së, e cila është përgjegjëse për armët bërthamore të vendit, Sekretari i Mbrojtjes, Lloyd Austin, tha se kërcënimet e përsëritura të Putinit janë të papërgjegjshme.
“Ndërsa Kremlini vazhdon luftën mizore dhe të paprovokuar kundër Ukrainës, e gjithë bota e ka parë Putinin të përfshihet në një kërcënim thellësisht të papërgjegjshëm bërthamor”, tha ai duke iu referuar kërcënimeve të mëparshme bërthamore të Putinit.
“Pra, mos bëni gabim, fuqitë bërthamore kanë një përgjegjësi të madhe për ta shmangur sjelljen provokuese dhe për ta ulur rrezikun e përhapjes dhe për ta parandaluar përshkallëzimin dhe luftën bërthamore”.REL