Policia e Kosovës e ka arrestuar serbin Dejan Pantiq, i cili kishte qenë pjesëtar i policisë. Arrestimi i tij ka ndodhur të shtunën e 10 dhjetorit (sot) në Jarinje, ndërsa strukturat paralel dhe kriminale të serbëve nga veriu i Kosovës po grumbullohen dhe po vendosin barrikada në terren.
Siç raportojnë gazetarët e Kosova Online nga Leposaviqi dhe Mitrovica Veriore, serbët nuk duan të lejojnë që të arrestuarit të dërgohen në Prishtinë.
Një numër i madh i tyre janë mbledhur në hyrje dhe dalje të Leposaviqit, si dhe disa qindra të tjerë janë mbledhur edhe në Rudar afër Zveçanit, afër kryqit, si dhe në Srbovc.
Siç bëjnë të ditura edhe burimet e RTV Dukagjinit, Pantiq, i cili së fundi është larguar nga Policia e Kosovës me daljen e serbëve nga institucionet, është arrestuar sot në vendkalimin kufitar teksa po kthehej në drejtim të Rashkës dhe në momentin e arrestimit ka qenë me gruan e tij.
Sipas gazetarëve nga terreni, numri i të grumbulluarëve po rritet nga momenti në moment.