Deputeti i Lëvizjes Vetvendosje (LVV), Arbër Rexhaj, ka thënë për RTV Dukagjini se një komision hetimor nuk do të votohet për aq kohë sa është i ngritur në baza të paligjshme.
Ai ka thënë se opozitës i kishte munguar një kauzë prej kohësh dhe si e tillë, “kauza për komisionin” është “kauza e shumëkërkuar” e saj.
“Opozita e ka humb rrugën në oborr”, ka thënë Rexhaj, gjatë debatit në emisionin Debat Plus.
Në qoftë se VV-ja nuk ka asgjë për të fshehur, votimi i një komisioni të tillë nuk do kishte arsye pse të mos realizohej ka thënë analisti, Selim Selimi.
“Refuzimi i komisionit hetimor është masakrim i demokracisë”, ka thënë Selimi gjersa ka shtuar se një kundërshtim kaq publik ndaj këtij komisioni lë vend për dyshim.
Ndërsa analisti tjetër Yll Hoxhaj e ka kundërshtuar këtë pikëpamje të Selimit, duke thënë se, nëse vullneti i shumicës do votojë kundër këtij komisioni, është pjesë e demokracisë, duke shtuar se “do e gjejmë zgjidhjen, por duhet të prisni. Qeveria Kurti veçse i ka ndaluar disa rrugë ku bëhej kontrabanda”.
Deputeti tjetër nga po i njëjti subjekt politik, Mefail Bajqinovci, ka thënë se do votonte këtë komision për aq kohë sa do të ishte i formuar në përputhshmëri me ligjet e njëkohësisht, po të ishte i miratuar nga Kuvendi.
Kurse Imer Mushkolaj, analist, e ka cilësuar këtë mori veprimesh si “deja vu” të veprimeve opozitare të VV-së.