Ish-zëvëndësministri për Komunitete dhe Kthim, Milazim Gashi ka thënë se është Lista Serbe ajo e cila po taktizon me sistemet e veta brenda Veriut të Mitrovicës e që sipas tij, një komoditet ia ka dhënë edhe Qeveria e Kosovës.
Në edicionin special të RTV Dukagjini pas vendosjes së barikadave në Veri të Mitrovicës, Gashi ka thënë se vendosja e barikadave në veri apo siç e quan ai, një stimulim, ishte i pritshëm.
“Kjo është një lloj stimulimi i komunitetit serb që të jenë pak më të revoltuar për shkak të situatës që tani Qeveria e Kosovës ka rritur prezencën e saj në veri, këto gjëra janë pritur. Sa i përket, marrëveshjes së KFOR-it,e gjitha strukturave në Veri që mund të organizohet protestë por rrugët nuk duhen bllokuar, unë shpresojë me një informatë të saktë ashtu siç e kam nga burimet e mija nga intelegjenca e KFOR-it, rrugët do të zhbllokohen por ajo revoltë vie si shkak i arrestimit të ish-zyrtarit policor”, ka deklaruar Gashi.
Sipas tij, një komoditet nga Qeveria i është dhënë edhe Listës Serbe.
“Komuniteti dhe Lista Serbe po taktizon me sistemet e veta brenda veriut, këtë komoditet ja ka dhënë edhe Qeveria e Kosovës për shkak se e ka bërë Listën Serbe si faktor relevant në Veri kështu që tani Lista Serbe tani për tani, e ka ndikimin e vet 100 për qind tek komuniteti i vet”, ka deklaruar Gashi.
Sipas njohësit të çështjeve të sigurisë, Drizan Shala, barikadat ndërlidhen me arrestimin e ish-zyrtarit policor për dyshimet se i njëjti kishte organizuar sulmet në zyret KKZ-së, në Veri të Mitrovicës.
“Ky është si reagim i arresimit të tij, nuk ka të bëjë me çështjen e zgjedhjeve”, ka deklaruar Shala gjersa thotë se do të ketë arrestime të tjera të kësaj natyre.
Krahas kësaj, njohësi i çështjeve Shala thotë se situata në Veri paraqet një testim të qëndrueshmërisë institucionale.
“Në qoftë se nuk do të ketë reagim nga mekanizmi i sigurisë së mekanizmave vendor dhe atyre ndërkombëtarë, do të ketë shtim të barikadave. Ky është vetëm një testim i qëndrueshmërisë dhe i nervit institucional se derisa do tentojnë, nëse ne reagojmë pastaj sipas të gjitha gjasave, barikadat do largohen dhe askush nuk do të merret me barikada. Në këtë aspekt, ky është taktizim, ky është me shiku në nivelin diplomatikë se si po reagojnë përfaqësues të ndryshëm”, ka deklaruar Shala.
Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla ka thënë se ish-pjesëtari i MUP-it i arrestuar këtë të shtunë, Dejan Pantiq, sipas dëshmive të Policisë së Kosovës ka organizuar sulmin terrorist në zyrat e KKZ-së në Veri të Mitrovicës.
Sveçla ka thënë se Pantiq akuzohet për kryerjen e veprave terroriste dhe sulm kundër rendit kushtetues.
Nga ana tjetër, barikada në Rudarë janë vendosur nga serbë të maskuar përgjatë pasdites të së shtunës.