Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, e ka quajtur propagandues presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, pasi sipas tij, ai gënjeu se kinse zyrtari policor Ekrem Neziri është lënduar nga xhamat në sulmet ndaj zyreve të Komisionit Komunal Zgjedhor (KKZ), në Mitrovicën e Veriut.
Sveçla ka publikuar fotografit të cilat, sipas tij, dëshmojnë se polici Neziri u plagos me armë zjarri.
Po ashtu ai ka shtuar se ka edhe dëshmitarë të KFOR-it që kanë shkuar në vendngjarje dhe plagosjen e konfirmon edhe raporti mjekësor.
“Sulmet ndaj zyreve të KKZ-së kanë ndodhur me datë 6 dhjetor ndërsa sulmi me armë zjarri ndaj zyrtarit policor Ekrem Neziri ka ndodhur me datë 8 dhjetor në fshatin Serbovc, mes Zveçanit dhe Leposaviqit. Për këtë ka edhe pamje (fotot bashkëngjitur), edhe dëshmitarë nga KFOR që kanë shkuar në vendin e ngjarjes si dhe ka edhe raport mjekësor që e dëshmon këtë”.
Sipas tij, këto të pavërteta dhe shumë të tjera janë përpjekje të dështuara të Vuçiqit, që kanë për qëllim të kamuflojnë sulmet e grupeve të tij kriminale.
“Policia e Kosovës asnjëherë të vetme nuk ka terrorizuar apo sulmuar asnjë qytetar, aq më pak për shkak të përkatësisë etnike. E vërteta është se grupet kriminale të dirigjuara nga Vuçiq kanë shtënë për t’i eliminuar zyrtarët tanë policor si dhe kanë sulmuar brutalisht e terrorizuar qytetarët tanë”.
Ministri Sveçla, ka përfunduar duke thënë se do të vazhdojnë dhe do të qëndrojnë, për të gjithë qytetarët pa dallim e për shkatërrimin e të gjitha grupeve kriminale që “dirigjon propaganduesi Vuçiq dhe jo vetëm”.
Prani e madhe e Policisë së Kosovës në hyrje të Mitrovicës (VIDEO)
Ndërkaq, situata aktuale në veri të Kosovës njashtu ka vendosur në dyshim mbajtjen e zgjedhjeve, pasi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shtyrë mbajtjen e tyre deri më 23 prill të vitit 2023.