Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shtyrë zgjedhjet e parapara për 18 dhjetor në veri të Kosovës, për në prill të vitit të ardhshëm.
Vendimi i saj erdhi pas disa sulmeve nga ana e serbëve që janë raportuar në veri të vendit gjatë ditëve të fundit, e që u shtuan edhe më shumë mbrëmjen e së shtunës.
Pak orë para shtyrjes së zgjedhjeve, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla ka bërë të ditur për arrestimin e ish-pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq, për shkak të dëshmive se ai ka organizuar “sulmin terrorist në zyrat e KQZ-së në veri të vendit”.
Si shenjë pakënaqësie, serbët lokalë kanë ngritur barrikada dhe kanë bllokuar disa rrugë në veri. Pra, bllokimi i rrugëve më 10 dhjetor u nxit pas arrestimit të ish-policit serb.
Policia e Kosovës më vonë ka njoftuar për mbylljen e dy pikëkalimeve kufitare mes Kosovës dhe Serbisë – Jarinjë dhe Bërnjak.
Rreth 100-200 metra larg barrikadave kanë qëndruar pjesëtarët e KFOR-it e më larg tyre janë parë edhe vetura të Policisë së EULEX-it.
Ndërkaq dy vetura të Policisë kanë qëndruar gjatë gjithë kohës në fshatin Shupkoc, në rrugën nacionale Mitrovicë-Leposaviq që të dërgon më fshatin Rudar dhe kanë paralajmëruar veturat që kanë tentuar të kalojnë për rrezikun që mund t’u kanoset.
Dy shpërthime të fuqishme kanë ndodhur gjatë mbrëmjes së të shtunës, një rreth orës 1:30 pas mesnatës dhe tjetra në ora 3:00 janë dëgjuar afër Zveçanit.
Por, në Jasenovik të Zubin Potokut ka pasur shkëmbim zjarri mes grupeve kriminale dhe policisë së Kosovës, ku kjo e fundit i është kundërpërgjigjur sulmeve me armë zjarri, bëjnë të ditur burime të RTV Dukagjinit.
Nuk dihet nëse ka pasur të lënduar apo dëme materiale, si dhe kush ka qenë cak i këtyre shpërthimeve e të shtënave me armë.
Ndërkaq, derisa ishte duke raportuar gazetarja e RTV Dukagjinit, Doruntina Bylykbashi nga veriu, afër një barrikade të ngritur në rrugë nga strukturat kriminale, është sulmuar me mjete shpërthyese.
Por, kjo nuk është hera e parë që këtë vit serbët vendosin barrikada në veri, pasi më 31 korrik, ata vendosën në rrugë kamionë dhe mjete të tjera të rënda për të kundërshtuar dy vendime të Qeverisë së Kosovës që kishin të bëjnë me targat dhe dokumentet serbe.
Nga kjo Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim që të shtyjë implementimin e vendimeve të reciprocitetit me letërnjoftime me Serbinë dhe atë për targa.
Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se barrikadat e vendosura në veri të Kosovës duhet të hiqen menjëherë, dhe se Policia e Kosovës është në kontakt të vazhdueshëm me misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, kishte paralajmëruar të shtunën se autoritetet serbe do të bëjnë kërkesë te misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, që në përputhje me Rezolutën 1244, të sigurojnë dislokimin e pjesëtarëve të ushtrisë dhe policisë serbe në territorin e Kosovës.
Më herët gjatë javës është raportuar për sulm në zyrat e Komisionit Qendror Zgjedhor, teksa zyrtarë të këtij institucioni kanë synuar nisjen e përgatitjeve për zgjedhje.
Përveç këtij sulmi, më 8 dhjetor është raportuar edhe për plagosjen e zyrtarit të Policisë së Kosovës, Ekrem Neziri në veri.
Ndërkaq, ministri Sveçla, të shtunën e 10 dhjetorit, e ka përgënjeshtruar deklaratën e presidentit serb Aleksandër Vuçiq i cili ka thënë se polici Ekrem Neziri u lëndua nga xhamat në sulmet ndaj zyrave të KKZ-së në Mitrovicën e Veriut, sulm ky i cili kishte ndodhur më 6 dhjetor.
Sveçla ka publikuar fotografit të cilat, sipas tij, dëshmojnë se polici Neziri u plagos me armë zjarri.
Kujtojmë se, zgjedhjet e jashtëzakonshme janë shpallur në veri pasi përfaqësuesit e Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – kanë dhënë dorëheqje në fillim të nëntorit, në shenjë kundërshtimi ndaj një vendimi të Qeverisë së Kosovës për të riregjistruar makinat me targa ilegale serbe në RKS – Republika e Kosovës.
Lista Serbe, e cila ka mbështetjen e Beogradit zyrtar, ka kundërshtuar vazhdimisht mbajtjen e tyre.
Policia e Kosovës ka shtuar së fundi vazhdimisht prezencën në veri, me qëllim të “sigurimit të qytetarëve”.
Reagimet e opozitës për situatën në veri
Për situatën e krijuar në veri të vendit kanë reaguar edhe partitë opozitare në Kosovë.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi e ka quajtur dështim të Qeverisë shtyrjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në komunat në veri. Sipas tij, me vendimin e djeshëm ekzekutivi është dorëzuar para bandave kriminale në pjesën veriore, e kjo ka thënë se e dobëson shtetin.
Krasniqi ka shtuar se instalimi i barrikadave në veri, në kohën kur po merrej vendimi për mosmbajtjen e zgjedhjeve, është dëshmi se “kjo tërheqje e Qeverisë nga zbatimi i ligjit dhe kushtetutës e rrezikon edhe më shumë ushtrimin e sovranitetit të plotë në katër komunat e veriut”.
Në anën tjetër, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka thënë se shteti i Kosovës duhet të shfrytëzojë të gjithë mekanizmat që i ka për heqjen urgjente të barrikadave dhe çdo pengese tjetër në veri.
Më tej kërkojë që Qeveria e Serbisë të heqë dorë menjëherë nga politika luftënxitëse dhe t’i tërheqë nga veriu njësitë e veta paramilitare. Po ashtu Haradinaj, bëri kërkesë tek BE dhe SHBA që të ndërhyjnë me qëllim të qetësimit të situatës në veri.
Ndërsa, kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka akuzuar presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti se janë futur në aventura politike duke e sfiduar shtetin dhe se tani po e dorëzojnë atë.
Ndërkaq, shtetet e QUINT-it dhe Bashkimi Evropian (BE), kanë mirëpritur vendimin e Kosovës për të shtyrë mbajtjen e zgjedhjeve lokale në katër komunat në veri, të banuara me shumicë serbe.